E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët e familjes, sigurime 80 dollarë në vit

Punonjësit e familjes duhet të deklarohen dhe për ta të derdhet një kontribut simbolik prej 80 dollarësh në vit pranë sigurimeve shoqërore. Kjo gjë do të garantojë edhe për ta përfitimin e një pensioni pleqërie. Dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është diskutuar sërish për këtë kategori punëtorësh që kanë filluar të shfaqet vetëm vitet e fundit në mënyrë të gjerë edhe në vendin tonë. Lidhur me atë që quhet çështja e legalizimit të punëtorëve të familjes, Kryeministri Sali Berisha tha se ky vendim nuk ka për qëllim të përfitojë arka e shtetit, por të vendosë dinjitetin e duhur në trajtimin e kësaj kategorie punonjësish.

Duke kërkuar nga kryefamiljaret regjistrimin e këtyre punonjësve, Kryeministri shpjegoi se pagesa vjetore që do të bëhet nga punëdhënësit është simbolike dhe nuk do të rëndojë buxhetin e familjeve, por do t‘u krijojë mundësi të punësuarve të përfitojnë pension. "Kjo kategori do të trajtohet si punëtorë me kohë të pjesshme. Kërkoj për këtë një mirëkuptim të plotë dhe total", tha dje kreu i Ekzekutivit. Ai sqaroi se "punëdhënësi do të paguajë gjithsej rreth 80 dollarë në vit, gjë e cila nuk rëndon buxhetin e tij, por legjitimon dhe krijon një mundësi pensioni për këtë kategori punonjësish. Në tërësi këto janë gra dhe vajza, të cilat e bëjnë këtë punë për të përballuar jetën e tyre të përditshme". Sipas Berishës, të gjithë kryefamiljarët, të cilët asistohen nga këta punëtorë, duhet t‘i regjistrojnë ata, sepse kjo është një çështje prestigji, dinjiteti dhe raporti njerëzor. "Kemi zgjedhur formën më minimale të detyrimit. I kemi konsideruar ata punonjës me kohë të pjesshme. Kemi vendosur vetëm sigurimin shoqëror dhe asgjë tjetër ndaj tyre dhe unë shpresoj që të ketë një mirëkuptim, në mënyrë që borgjezia e re të mos harrojë se karakteri social dhe fryma sociale duhet të jetë një nga tiparet më të rëndësishme të moralit të saj", tha Berisha që duket se me këto fjalë i është drejtuar jo vetëm përfaqësuesve të kabinetit të tij, por edhe vetes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›