E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyti foshnjën me thonj, nëna dënohet me 12 vjet burg

Ngjarja ndodhi një vit më parë në fshatin Zëmblak të Korçës, ku 24-vjeçarja vrau djalin e saj, vetëm 18 muajsh

Korçë- Dënohet me 12 vjet burg nëna, e cila mbyti foshnjën që qante. Gjykata e Korçës ka dhënë vendimin e saj, duke dënuar me 12 vjet burg shtetasen Sonila Lumi, e cila vrau foshnjën e saj 18-muajshe në maj të vitit të kaluar. Ngjarja e rëndë që ka tronditur gjatë asaj kohe fshatin Zëmblak, aty ku jetonte e pandehura bashkë me familjen e saj, pas një hetimi të gjatë është mbyllur me vendimin e së martës.

Vendimi

Gjatë seancës së fundit gjyqësore, avokati mbrojtës i të pandehurës, Nevzat Tarelli, ka kërkuar që Sonila Lumi të gjykohet si e sëmurë psiqike, kërkesë e cila është hedhur poshtë nga prokurori i çështjes, Julian Kristo. Sipas përfaqësuesit të organit të akuzës, sipas ekspertizës së mjekut ligjor, 24- vjeçarja Lumi nuk rezulton të vuajë nga çrregullime mendore. Ndërkaq, vetë e pandehura pas arrestimit nga forcat e policisë ka pranuar krimin dhe ka kërkuar mëshirë nga togat e zeza. Kjo kërkesë e të pandehurës ka ndikuar edhe në masën e dënimit të vendosur ndaj saj. 24-vjeçarja u dënua nga gjykata me 12 vjet burg, nën akuzën “Vrasje në rrethana cilësuese”. Ngjarja ndodhi një vit më parë, në fshatin Zëmblak të Korçës, ku 24-vjeçarja vrau djalin e saj vetëm 18 muajsh. Sonila Lumi ka transportuar të vdekur në spitalin e juglindjes fëmijën e saj vetëm 18-muajshe, ndërsa mjekët e spitalit kanë konstatuar shenja të shumta dhune. Vetëm pas pak kohësh, blutë kanë mundur të shkojnë lehtësisht drejt autorësisë të kësaj ngjarje të pazakontë, autore që në rastin konkret është nëna e fëmijës, e ardhur në jetë nga kurorëzimi i një lidhje mes çiftit.

Zbulimi

Pas hetimeve të para ka rezultuar se autore e këtij krimi monstruoz është nëna e fëmijës, e cila ka përfunduar menjëherë në prangat e policisë vendore, ndonëse është përpjekur të mohojë vrasjen e fëmijës. Krimi ka nisur në banesën e kësaj të fundit, në fshatin Zëmblak, rreth 12 kilometra larg kryeqendrës së juglindjes. Gruaja ka qenë në shtëpi vetëm me fëmijën, teksa nuk ka mundur t’i durojë më të qarat e pareshtura të foshnjës. Fillimisht ajo ka tentuar ta rrahë, por më pas nuk e ka përmbajtur veten, duke i vënë duart në fyt. Nuk dihet për sa kohë ka vazhduar kjo dhunë barbare, që çoi fëmijën me inicialet K.L. rreth një fundi tragjik. Kur ka parë që fëmija nuk ka reaguar, gruaja e re iu ka kërkuar ndihmë familjarëve të bashkëshortit, duke pretenduar se fëmija ishte shumë i sëmurë. Menjëherë foshnja 18-muajshe është nisur drejt Korçës, ndërsa bluzat e bardha të tij kanë konstatuar vdekjen që kishte ndodhur disa kohë më parë. Pas një verifikimi të thjeshtë janë konstatuar shenjat e shumta të dhunës në trup, ndërsa kufoma e fëmijës 18-muajshe i është nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore. Në seancën e fundit gjyqësore, gruaja ka nisur të qajë, pa pohuar asnjë fjalë. Organi i akuzës në seancën e mëparshme kishte kërkuar 12 vjet burg, po aq sa ka dhënë gjykata për të akuzuarën për vrasjen e djalit të saj vetëm 18-muajsh.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›