E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punimet në kolektorë, Shkodra sot 24 orë pa ujë

SHKODER- Rreth 120 mijë banorë sot nuk do të kenë ujë të pijshëm në çezmat e banesave të tyre. Lajmi bëhet me dije nga burime zyrtare të Bashkisë së Shkodrës, të cilat sqarojnë se problemet me furnizimin e popullsisë me ujë të pijshëm do të vijojnë dhe të martën. Shkak për krijimin e një situate të tillë është një investim që po bën Bashkia e qytetit verior për sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. Mësohet se investimet pa planifikim dhe kriter të bëra vite më parë, kanë vënë në vështirësi investimet e tanishme. Ka pak kohë që me një fond prej rreth 30 milionë lekësh të akorduar nga Bashkia, ka filluar ndërtimi i kolektorit kryesor për ujërat e bardha në një nga akset kryesore të qytetit të Shkodrës e konkretisht në atë që lidh sheshin pranë Radio Shkodrës me sheshin e lagjes "Parrucë". Gjatë hapjes së kanalit dhe ndërtimit të kolektorit që po realizohet sipas projektit të hartuar nga kompania gjermane KfW, firma zbatuese e punimeve është vënë në vështirësi kur ka konstatuar se tubacioni kryesor që furnizon me ujë të pijshëm të gjithë këtë zonë, në vend që të shtrihej paralel me tubacionin e ujërave të bardha, është ndërtuar në mënyrë të çrregullt duke e ndërprerë atë. Kjo ka bërë që firma, e cila kishte planifikuar të bënte vetëm ndërtimin e kolektorit të ujërave të bardha, të mendojë edhe për zhvendosjen e tubacionit të ujit të pijshëm. Sipas bashkiakëve, shtrirja e tubacioneve të ujit të pijshëm të ndërtuara para disa vitesh, ka qenë e papritur jo vetëm për firmën që po kryen punimet por edhe për vetë ata. Një problem i tillë krahas shtesës në investime, pasi kjo shumë nuk është parashikuar më parë, ka sjellë edhe probleme sociale. Puna shtesë për devijimin e tubacionit të ujit të pijshëm do të shoqërohet edhe me ndërprerjen e furnizimit me ujë për 24 orë për gjithë qytetin dhe për 48 orë për zonën që furnizohet nga ky tubacion. Ndërkohë dje, Bashkia e Shkodrës nëpërmjet një prononcimi publik ka njoftuar të gjithë qytetarët për mungesën e ujit të pijshëm. Përfaqësues të këtij institucioni pohojnë se është biseduar me firmën që po bën punimet dhe është rënë dakord që ato të kryhen me një shpejtësi rrufe, për të krijuar kështu sa më pak probleme për qytetarët. Punimet nga firma do të vazhdojnë edhe gjatë natës.(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›