“Vizat” Meta: Keqardhje për spekullimet e PS, liberalizimi ne 2010
TIRANë- Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka deklaruar sot se shpreh keqardhje për spekullimet e opozitës në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. “Dua të shpreh keqardhjen për spekullimet e opozitës në gjoja dështimin e Shqipërisë për liberalizimin e vizave, me vendet të cilat sapo e arritën këtë objektiv pak ditë më parë. Ato kanë të bëjnë me trashëgiminë administrative por edhe me cilësinë e dokumenteve të sigurisë. Tre vendet që më parë e kishin marrë miratimin në parim dhe ishin në një moment më të avancuar se sa Shqipëria”, theksoi Meta. Gjatë një konference për shtyp, sot në mjediset e Ministrisë së Jashtme, Meta ka ftuar opozitën të japë kontributin e saj në procesin e liberalizimit të vizave si dhe në atë të integrimit të vendit në BE, ndërsa theksoi se në vend nuk ka krizë, por vetëm corientim politik të opozitës. "Mos harrojmë gjithashtu se këto tre vende, të cilat përfituan liberalizimin e vizave kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë para 20 viteve dhe së bashku me gjithë vendet e tjera të Federatës udhëtonin pa viza, pothuajse në të gjitha vendet e zhvilluara, ndërsa ne kemi qenë vendi më i izoluar në Evropë. Pra opozita, në vend që të derdhë lot krokodili në këtë “mosarritje”, të bashkohet në përpjekjet e të gjithë shqiptarëve. Qeveria i ka përmbushur pothuajse të gjithë kërkesat”, u shpreh numri 2 i qeverisë. Lidhur me objektivat e vitit 2010, Meta ritheksoi se “do të jetë viti i lëvizjes së lirë dhe liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, pasi pothuajse të gjitha standardet dhe kërkesat e udhërrëfyesit të KE-së për liberalizimin e vizave janë realizuar nga ana e qeverisë dhe institucioneve shqiptare”. (e.n/BalkanWeb)