Punimet në shesh Detajohet skema e re për devijimin e trafikut.
17/01/2011 Përcaktohet skema e re e devijimit të trafikut në kryeqytet. Kreu i Drejtorisë së Transporteve pranë Bashkisë së Tiranës, Enton Punavija, ka bërë me dije ndryshimet rrugore në të cilat do të spostohet qarkullimi i automjeteve për shkak të vijimit të punimeve që po kryhen në sheshin “Skënderbej”. Sipas Punavisë, plani i radhës synon që trafiku, i cili vinte nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të transferohet drejt bulevardit “Zhan Dark” dhe “Bajram Curri”. Kështu skema e re do t’i japë përparësi lëvizjes së transportit urban publik, duke sjellë në këto kushte edhe zhbllokimin e sheshit nga lëvizjet e shumta të automjeteve. “Ashtu siç e kishim njoftuar, prej ditës së djeshme ka filluar implementimi i skemës së re të qarkullimit, për të devijuar fluksin e trafikut, i cili shkonte nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të sheshit “Skënderbej”, një skemë qarkullimi, e cila është përllogaritur dhe përmban të gjithë fluksin e trafikut që kalon në sheshin “Skënderbej”. Skema e qarkullimit konsiston që fluksi i trafikut, i cili vinte nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tani do të kthehet në të dy bulevardet “Zhan d’Ark” dhe “Bajram Curri”. Do të hiqet parkimi në bulevardin “Bajram Curri”, si dhe në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”. Ndërkohë që qarkullimet e automjeteve private drejt sheshit do të shkojnë drejt paralizimit”, shprehet Punavija. Më tej konfirmohet se në shesh do të lejohet vetëm hyrja e mjeteve të transportit publik. Edhe një herë tjetër bashkia u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj sinjalizimit rrugor të vendosur nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe ndaj kohëve të reja të semaforëve, që janë ndryshe nga kohët e mëparshme. Gjithashtu bashkia ka kërkuar edhe ndihmën e Policisë Rrugore në mirëmenaxhimin e kësaj situate. “Theksoj edhe njëherë se menaxhimi i trafikut nga ana e organeve të policisë është shumë i rëndësishëm, e po ashtu edhe edukata qytetare, me qëllim respektimin e shenjave të sinjalistikës rrugore”, sqaron më tej kreu i Drejtorisë së Transporteve Enton Punavija.