E Shtunë, 31 Tetor 2026

Musolini në Shqipëri, dëshmi për ndalesa në Elbasan

17/01/2011  Si u organizuan institucionet pas pushtimit italian, flet studiuesi Shpëtim Haxhihyseni

ELBASAN- Studiuesi i traditës dhe historisë së Elbasanit, Shpëtim Haxhihyseni, ka arritur të grumbullojë të dhëna të plota mbi pushtimin fashist dhe organizimin pas pushtimit të institucioneve të ndryshme. Po ajo që bie në sy në këtë studim është ardhja e Musolinit. Pak kush e di që Duçja gjatë vizitës së tij në Shqipëri ka ndaluar edhe në Elbasan. Haxhihyseni tregon se ekzistojnë burimet që vërtetojnë këtë ndalesë. “Për ardhjen e Musolinit në Elbasan janë dy variante burimore: sipas një ditari të një ushtari italian pjesëmarrës në luftimet italo-greke botuar në libër thuhet: Musolini erdhi në Shqipëri më 2 mars 1941. Në 7 ditët e qëndrimit të tij më 2-9 mars 1941, Musolini qëndroi e fjeti një natë në Elbasan. I dyti: sipas këtij varianti që mbështetet si burim në dokumente të komandës eprore të fuqive të armatosura shqiptare, ardhja e Musolinit në Shqipëri qe tepër sekrete. Musolini erdhi “inkonjito” në aerodromin e Tiranës i shoqëruar nga gjeneral Cavallero dhe gjeneral Jakomo e Ranza. Qëndron pak në Ndroq e pastaj në Rehovë të Beratit. Për datat 3, 4,5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 viziton pozicionet luftarake. Më 12 mars 1941 i shoqëruar nga gjeneral Priciolo vjen në Elbasan dhe bisedon me gjeneral Pirzio Birati që komandonte armatën e IX. Në orën 19.45 kthehet në Vlorë. Më 17 mars 1941 vjen përsëri në Elbasan. Fle në Elbasan dhe viziton kishën Katolike. Më 18 mars në Gramsh inauguron urën dhe shkon në spitalin e Lixhës. Më 19 mars interesohet për fortifikimet mbrojtëse dhe rrugët. Më 20 mars viziton spitalin e Krastës dhe shkon deri në Liqenin e Ohrit. Më 21 mars kthehet në Romë (gazeta “Tirana Observer” 12.08.2009, fq 14-15, Zylyftar Hoxha)

“Dopo Lavoro”

Ishin institucione propagandistike, që kishin për qëllim të integronin popullsinë qytetare (rininë, intelektualët) në kulturën fashiste nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimtari kulturo-artistike dhe argëtuese. Në Elbasan u ngritëm dy qendra “Dopo Lavoro”. Një në lagjen “Kala”, në shtëpinë e Kol Petër Delianës, ku si përgjegjës ishte Mir Papajani dhe tjetra në lagjen “Beqire” në shtëpinë e Plangaricës me përgjegjës Bim Kuranin. Në këto qendra bëheshin edhe kurse për mësimin e gjuhës italiane.

“Organizatat fashiste”

Edhe në Elbasan si në tërë vendin janë ngritur këto organizata fashiste: “Balilat”, organizatë fashiste, që përmblidhte fëmijët nga mosha 6-14 vjeç, kishte si uniformë pantallona të shkurtra dhe këmishë të zezë. Nga qyteti ynë janë me dhjetëra fëmijë që të veshur balila, shkuan në Itali. “Avanguardistët”, organizatë fashiste, që përmblidhte moshën nga 14-17 vjeç. Të rinjtë kishin uniformë të plotë me divizën e tyre: pantallona gri të gjata, këmishë të zezë, kollare dhe kapele. “Giovani Fashisti” ishte organizatë fashiste, që përmblidhte moshën 17-21 vjeç. Të rinjtë në këtë organizatë konsideroheshin kontingjentë, që kishin përqafuar ideologjinë fashiste. Uniforma e tyre kishte ngjashmëri me uniformën e trupave ushtarakë fashistë: Pantallona me ngjyrë gri, xhaketë, këmishë të zezë, kapele dhe kollare. Në xhaketë kishin për divizë sëpatën e Liktorit.

Antifashistë elbasanas që pritën

me pushkë pushtuesit italianë

ELBASAN- Ndër elbasanasit, që pritën me armë në Durrës pushtuesit fashistë kanë qenë: Emin Orizaj, Dollani, Bajram Pjetri, Besim Zyma, Vasil Andoni etj. Elbasanas të internuar nga fashistët kryesisht në Porto Romano, të cilët ishin: Hamdi Gani, Muç Kotherja, Eqerem Abdihoxha, Sul Harri, Venemin Dashi, Xhaferr Kongoli, Faik Pajuni etj. Ndërsa femrat elbasanase të internuara në kampin e Porto Romanos. Fashizmi internoi në Porto Romano femrat: Nadire Hasekiu, Leje Kashari, Mynever Zaimi, Qamile Bylyku, Lytfije Hajdari, Mihrimisa Zaimi, Afërdita Andoni, Liri Dodbiba etj. Elbasanas antifashistë që u burgosën ishin Vasil Andoni, Shefki Miraku, Shefit Kulla, Cen Bakalli, Qamil Shkodra, Met Dilja, Ismail Qorri, Lef Nosi, Beqir Rusi, Refik Kajanaku, Shefqet Baholli. Elbasanas antifashitë të internuar në kampe (Itali) ishin Dakli, E. Orizaj, R. Kashari, L. Nosi, F. Gurmani, Sh. Kulla

Varrezat italiane në Elbasan

Konkretisht në Elbasan varret italiane u vendosën në sheshin në jug të varrezave të ortodoksëve, saktësisht aty ku sot është spitali psikiatrik me mjediset e tij. Sipas një dokumenti arkivor, në varrezat italiane të qytetit tonë numëroheshin 378 varre. Ka lista emërore të italianëve të varrosur në këto varreza. (Dosja n 123, kutia 13, shkresa 14.11.1950 e Arkivit të Kom. Ekz të Elbasanit).

Ndërtime të italianeve në Elbasan

Pushtuesit italianë në Elbasan bënë këto ndërtime: “Pesë pallatet” që ishte një ndërtim masiv i bërë nga italianët në pronën e Qorrbeut. Pasi përfunduan këto 5 ndërtesa shërbyen si seli e komandës së trupave pushtuese ushtarake italiane. Ky masiv ndërtimi ishte i rrethuar me mur dhe me pika fortifikimi në të katër anët. Depot e armatimeve të ndërtuara nga italianët u ngritën: a) Në ullishtë tek “Katër Rrugët” në perëndim të qytetit, aty ku sot ndodhen banesat e lagjes NSHU. b) Në një grykë në ullishtë nga 300 m në veri të Mullirit të Delimetës, c) Në Krastë dhe në Griqan.

Kuestura italiane

Aty ku sot ndodhet “ ish-TV Dardan” u ngrit një godinë dykatëshe. Kjo ndërtesë qe selia e kuesturës. Kati i parë u bë me mure, ndërsa i dyti me elementë parafabrikate të drunjta.

Zyrat e Fashios

Në qendër të qytetit në rrugën “Kamo Sejdini” e në “hotelin e Sejdinëve” u vendosën zyrat e “Fashos”.

Dy ngjarje të mëdha që kanë të bëjnë me fashizmin si: a) Asambleja që shpalli bashkimin profesional të Shqipërisë me Italinë fashiste. b) Njohja e V. Emanuelit si mbret të Shqipërisë (Romë 12 prill 1939) qenë pjesëmarrës elbasanasit: Sh. Verlaci, A. Xhuvani, A. Beça (gazeta “55”, 9 tetor 2008, K. Dervishi).

Vende të fortifikuara të ushtrisë fashiste

Në Elbasan pas pushtimit fashist u ngritën fortifikime: a) Pozicion i fortifikuara në dalje të rrugës për në Tiranë, në urën e gurtë me harqe të Zaranikës në anën e djathtë të saj. b) Pozicioni i fortifikimit të blinduar në Jug të qytetit në anën e majtë të urës së gurtë të Shkumbinit.

Dosjet e falsifikuara të vitit 96-97 dhe 2001-2002

Sigurimet në Durrës, 587 dosje pensioni të pavlefshme

DURRES- Drejtoria rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Durrës ka nxjerrë të pavlefshme 587 dosje pensioni pleqërie për shkak të parregullsive për të cilat është dyshuar. Drejtori i institucionit Frederik Tufa ka pohuar se ka përfunduar faza e verifikimit të të dhënave për 40 mijë dosjet e të gjitha kategorive duke lënë mënjanë, si dhe duke ndërprerë dhënien e pensionit 587 shtetasve. “Ne e kemi mbyllur këtë fazë, e cila ka nisur në vitin 2008 dhe nëse ndokush nga 587 personat që u është mohuar pensioni ka vërejtje jemi të gatshëm të shkojmë në organet e drejtësisë”,-ka thënë Tufa. Shkeljet më të mëdha në dokumentacionin e përfituesve të paligjshëm të pensionit të pleqërisë i përkasin periudhës 1996-1997 dhe viteve 2001-2002. Drejtoria dhe gjashtë agjencitë e saj në Durrës, Sukth, Shijak, Fushë-Krujë e Krujë kanë marrë një nga një të gjitha dosjet të ndihmuar edhe nga të dhënat e arkivit vendor për të verifikuar çdo të dhënë të përfshirë në dosje. Sipas Tufës janë dashur dy vite punë intensive për ta mbyllur këtë proces. “Nuk është se kjo punë u mbyll me heqjen nga lista të 587 përfituesve të paligjshëm, pasi janë dhjetëra e qindra shkresa të sistemuara në dosjet përkatëse, të cilat deri para një e dy vitesh mungonin plotësisht”,-është shprehur Tufa. Drejtori ka pohuar gjithashtu se në vitin e trazirave të 1996-97 dhe në kohën e ndërrimit të qeverive të së majtës politike në vitet 2001-2002 specialistët në degët e drejtorinë e sigurive kanë lejuar kapërcimin e mangësive duke bërë që disa shtetas të marrin pension të pamerituar. Nga shuma e mësipërme e dosjeve të shfuqizuara rreth 75 i përkasin minierave, 200 dosje janë nga ndërmarrjet e ndryshme shtetërore në Durrës dhe pjesa tjetër nga komunat e bashkitë e qarkut. Sigurimet e kanë mbyllur këtë fazë me 24 denoncime në Prokurorinë e Durrësit, ndërsa drejtori Tufa ka thënë se dera e drejtësisë është e hapur për çdo shtetas që mendon se i është mohuar pensioni në mënyrë të padrejtë. “Nuk mund të ndodhë që specialistët tanë kanë gabuar pasi për vet faktin se asnjë nga kjo kategori nuk ka guxuar të na hedhë në gjyq tregon se pensioni i tyre ka qenë i pamerituar”,- bëri të ditur Frederik Tufa. Prokuroria do të vërtetojë vlefshmërinë e dokumenteve të përfshira në dosje duke bërë verifikimet e listpagesave, borderove, regjistrave dhe të të dhënave të tjera. Auditimet e vitit 2009-2010 kanë mbyllur fazën e verifikimit të vërtetësisë së dosjeve, ndërsa tani drejtoria rajonale dhe agjencitë e saj në qark kanë nisur të sistemojnë të dhënat për efekt kompjuterizimi. Kjo drejtori ka të arkivuara rreth 48000 dosje. Numrin më të madh e zënë dosjet e qytetit me 27 mijë dhe 10 mijë nga fshati, ndërsa invalidët e familjarët kanë rreth 5400 e 500 dosje pensioni. Për të përballuar fluksin e punës kjo drejtori ka në shërbim të saj 76 punonjës, si dhe inspektorët e bujkut, të cilët gjenden në terren pranë fermerëve të siguruar. Brenda vitit 2011 godina 3-katëshe e Drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore do të rikonstruktohet me fondet e Bankës Botërore. Rreth 20 milionë lekë do të shërbejnë për të përfunduar këtë projekt, i cili ka pritur çështjen e zgjidhjes së pronësisë së tokës. Drejtori Frederik Tufa ka thënë se para një viti ka nisur procesi i informatizimit të të dhënave dhe se është realizuar një punë voluminoze dhe cilësore. Rreth 20 mijë dosje tashmë janë të gjitha të informatizuara, ndërsa për këtë vit mbetet për tu kryer edhe më shumë se gjysma e punës. Ky projekt ka nisur me pensionet e qytetit dhe gjithçka mendohet të mbyllet në harkun kohor të këtij viti të saponisur. Tufa thekson se informatizimi përmbush në mënyrë shumë të shpejtë e të shkurtër çdo kërkesë të pensionistëve dhe e bën lehtësisht të kontrollueshme çdo dosje. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›