Punimet nën tokë drejt fundit
Së shpejti përfundojnë punimet që po kryhen për sistemimin e infrastrukturës nën tokë në sheshin “Skënderbej”, ku përfshihen të gjithë tubacionet e ujësjellës-kanalizimeve, kabllot elektrikë, ato të Albtelekomit, internetit e të tjera. “Kemi mbyllur kanalizimet e ujërave dhe para muzeut kemi shtuar një tubacion 400 metra për ujërat e bardha dhe 400 për ujërat e zeza. Jemi duke punuar në pesë pika, pjesa e minidhomës teknike që do bëhet intersektimi i katër galerive të reja të infrastrukturës”, - ka deklaruar Dritan Agolli, administrator i përgjithshëm. Me përfundimin e tërë rindërtimit, nuk do të bëhen më çarje të asfaltit për çfarëdo lloj ndërhyrjeje në infrastrukturë, si për nevojat e biznesit apo dhe për ato publike. Por, për të sistemuar galeritë e infrastrukturës nën tokë janë hasur disa vështirësi. “Ajo që e bën të vështirë është se rrjetet e vjetra kanë një mori kabllosh të telekomit, elektrikut dhe ujësjellësit, që në shumicën e tyre nuk janë të azhornuara saktë dhe galeritë ekzistuese na dolën në një pozicion tjetër, që na ka detyruar në rishikimin e projektit”, - ka saktësuar Agolli. Menjëherë pas kësaj faze do të nisin punimet e fazës së dytë, e cila përveç shtrimit me pllaka do të ketë të bëjë edhe me punë artistike për të realizuar projektin që e shndërron sheshin “Skëndërbej” tërësisht në funksion të këmbësorëve.