Ekspertët, ja sa është realisht rritja ekonomike e Shqipërisë
Për mendimin e pavarur ekonomik, raportet e organizatave financiare ndërkombëtare, në favor të rritjes më të madhe ekonomike, mbështeten më shumë në shifrat e ofruara nga qeveria, sesa në situatën ekonomike në vend. Raporti i fundit i Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH-i), e vendos Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në rajon, për këtë vit. Kryeministri Berisha, duke komentuar raportin e BERZH-it u shpreh: “Rritja ekonomike e Shqipërisë është e bazuar në kërkesën e brendshme, raporti i BERZH-it bën këtë konkluzion, kur eksportet në Shqipëri janë rritur më shumë se në çdo vend tjetër. ”Ky vlerësim i BERZH-it ka përforcuar argumentet e Kryeministrit Berisha, për një rritje ekonomike në vitin 2011 prej 5,5% të PBB (Prodhim i Brendshëm Bruto ose GDP). Zef Preçi, me titull Dr. në shkencat ekonomike, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, e quan jo realiste këtë shifër dhe të pambështetur në situatën ekonomike të Shqipërisë. Në krye të tipareve që karakterizojnë sot ekonominë e Shqipërisë është ndikimi i pakët nga kriza ekonomike globale. “Duke qenë një ekonomi e integruar fare pak, ose aspak, në ekonominë globale edhe në krahasim me atë të vendeve të rajonit, për shkak të mos zhvillimit të tregut të kapitaleve, efektet e krizës nuk kanë qenë totale, si ka ndodhur në ekonomitë e integruara", thotë Zef Preçi. Mungesa e tregut të kapitaleve është shoqëruar në tre vitet e fundit, me politika të zgjerimit të shpenzimeve publike, përmes borxheve të brendshme dhe të jashtme. Kjo ka sjellë një lloj paqëndrueshmërie për zhvillimet e ardhshme ekonomike në Shqipëri dhe ka shteruar kontributet e pritshme nga sektori informal, që deri më sot kanë qenë një amortizator i zhvillimeve ekonomike. Tipar tjetër që karakterizon situatën aktuale të ekonomisë në Shqipëri, sipas ekspertit të pavarur ekonomik, Zef Preçi, është rritja e shpenzimeve publike nga qeveria dhe një borxh i lartë publik, më i larti ndër të gjitha vendet e rajonit, duke përjashtuar Bosnjë- Hercegovinën. Kjo në një kohë kur dërgesat e emigrantëve, apo remitancat, janë ulur në mënyrë të ndjeshme, për shkak të krizës në Greqi, ku jeton pjesa më madhe e emigrantëve nga Shqipëria. “Faktet e vitit 2010, që ka qenë një vit i mbarë, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ka bërë që ekonomia shqiptare të ketë një rritje ekonomike vitin e kaluar, prej rreth 2.5% dhe kalimi në një rritje ekonomike dy herë më të lartë nuk mbështetet në treguesit kryesorë realë të situatës ekonomike”, thekson ai
“Jam optimist se ekonomia e Shqipërisë ka filluar ngritjen pas krizës së 2008- 2010-ës. Viti 2011 i ngjan shumë 2010-s, rritja ekonomike prej 5, 5 % të PBB i takon ndofta 2015 apo më vonë, pasi është një proces në një grafik në formë U -je, që kërkon rritje graduale, një rikthim të faktorëve në veprim. Ndërkohë edhe sikur të ishte 5.5%, është një rritje e lartë relative, por shumë larg pritshmërive të Europës. Studimet kanë treguar se në rritjen prej 6%, në 10-vjeçarin e parë të tranzicionit, Shqipërisë i duheshin rreth 74 vite që të arrinte nivelin e sotëm ekonomik të Europës, nëse supozohej që zhvillimi i ekonomik i Europës do të mbeste në vend. Mendoj se një shifër realiste është një rritje ekonomike prej 3% këtë vit”, thotë Zef Preçi. Për të arritur këtë rritje ekonomike, duhet që politikat të përqendrohen në terma realë punësimi, shfrytëzimi i tokës bujqësore, i pasurive që ka Shqipëria, duke mos lënë pas dore kapitalin njerëzor, që mbetet promotor i zhvillimit.