E Diel, 1 Nëntor 2026

Antibiotikët, mjekët “shtrëngojnë” dorën për recetat

Mjekët e familjes kanë filluar të “shtrëngojnë” dorën për lëshimin e recetave me rimbursim, ku rekomandohet përdorimi i antibiotikëve. Pas apelit të bërë nga autoritetet shëndetësore të vendit, por edhe nga jashtë, për përdorimin pa kriter të antibiotikëve, duket se ka filluar një ndërgjegjësim i mjekëve të familjes për këtë fenomen. Të dhënat e ISKSH dhe studimet e institucioneve ndërkombëtare, si Banka Botërore, tregojnë se shqiptarët konsumojnë shumë medikamente, duke e parë së pari zgjidhjen te barnat. Por, përkundër këtij fenomeni, tashmë të njohur në vendin tonë, ka edhe një tendencë tjetër që po vihet re për sa i takon antibiotikëve, si një grup i veçantë i medikamenteve në tërësi. Duke parë të dhënat e fundit dhe krahasimin e tyre ndër vite, sipas ISKSH, vihet re se po ulet përdorimi i tyre te fëmijët, pavarësisht se në listën e rimbursimit, numri i antibiotikëve ka ardhur në rritje nga viti në vit. Sipas të dhënave nga ISKSH, në vitet e fundit janë shtuar antibiotikë, kryesisht të përdorimit oral (pasi formati injektabël janë kryesisht për përdorim spitalor), ndërkohë që në shpenzime vihet re një ulje e vlerës së tyre, krahasuar me totalin e shpenzimeve për medikamente, në 49 milionë në vitin e fundit. ISKSH thekson se bëhet fjalë për një ndërgjegjësim më të madh të mjekut të familjes, pasi lëshimi i recetave me antibiotikë pa kriter në spitale, apo marrja e antibiotikëve pa recetë mjeku, vijon të mbetet një fenomen shqetësues. Kjo tendencë pozitive e ndërgjegjësimit të mjekëve të familjes, bazuar edhe në të dhënat e rimbursimit në ISKSH, vjen pas nisjes së reformës në shërbimin shëndetësor parësor, pasi mjeku i familjes nuk është më thjesht një përshkrues recetash, por ka marrë rolin që i takon në sistem, duke konsultuar pacientët dhe jo në çdo rast duke dhënë medikamente pa kriter. Sipas ISKSH-së, aq e vërtetë është kjo, sa të dhënat tregojnë për një ulje të përshkrimit të recetave me rimbursim, krahasuar me numrin e vizitave të pacientëve. Kështu, nga 1 vizitë me 1 recetë para nisjes së reformës, sot, ky raport është 1 me 0.6.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›