E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mjekut: Pacientët, viktimë e gabimeve mjekësore

SHKRUAN: Jonida Tashi 25-02-2011 11:39

Pacientët në mjaft raste janë viktima të gabimeve mjekësore të bluzave të bardha. Këto gabime kanë bërë që një sërë pacientësh t’u vdesin bluzave të bardha edhe ndër duar. Ky shqetësim është ngritur dje nga presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj, i cili megjithëse nuk ka deklaruar asnjë shifër zyrtare për këtë fenomen, ka pohuar se gabimet mjekësore janë të shumta. Sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut, gabimet mjekësore nuk lidhen me atë çka ndodh brenda sallave të operacioneve, por jashtë dyerve të tyre, ndërkohë që edhe infeksionet spitalore, sipas tij, janë një gabim. “Di të them me siguri se gabime mjekësore ka. Ka shumë. Nuk është bërë një studim i mirëfilltë, por problemi është që ne i njohim nivelet e spitaleve tona. Po të shkosh të futesh në qendrën spitalore universitare, të shikosh se si hyjnë e dalin njerëzit aty, të gjitha këto sjellin vetëm infeksione spitalore, që janë një problem jashtëzakonisht i madh”, - deklaron presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj. Më tej, ai argumenton se gabimet mjekësore në sistemin tonë shëndetësor rriten për disa arsye. “Këto rriten edhe për shkak të pamundësive që kanë mjekët, për pjesën e një infrastrukture të domosdoshme, pajisjen me teknologjinë bashkëkohore të nevojës më e domosdoshme me diagnoza preçize”, - pohon Abazaj. Përsa i përket ankesave që mund të kenë bërë qytetarët ndaj punës së mjekëve, kreu i Urdhrit të Mjekut thotë se nuk ka pasur një arsye. Sipas këtij institucioni, shumica e qytetarëve vazhdojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre, duke mos besuar edhe tek institucionet që presin ankesa. Ndërkohë që një tjetër problem i pazgjidhshëm për spitalet tona janë edhe infeksionet spitalore. Por, edhe më shqetësuese bëhet situata, pasi norma e infeksioneve që merren nëpër spitalet shqiptare është rreth 10% më e lartë, krahasuar me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mungesa e kushteve dhe lëvizja e shpeshtë e mjekëve jashtë sallës së operacionit, sipas Kontrollit të Infeksioneve në QSUT, vazhdojnë ta rendisin vendin tonë ndër shtetet, ku një pjesë e konsiderueshme e pacientëve, kur shkojnë për t’u kuruar në spital për një sëmundje, duhet të trajtohen për dy. Për më tepër, infeksionet spitalore mbeten problematike jo vetëm për shqetësimet shëndetësore që shkaktojnë te pacientët, por dhe për shkak të kostos së lartë në ekonominë familjare dhe atë kombëtare. Kështu, sipas mjekëve, një të sëmuri të tillë i duhet të qëndrojë në spital mesatarisht edhe 5 apo 7 ditë më tepër, sesa do të qëndronte në një situatë tjetër. Në fakt, që një vit më parë, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një urdhëresë për ngritjen e grupeve të punës me mjekë bakterologë, infeksionistë dhe infermierë, që duhet të mbikëqyrin 12 spitale rajonale për këtë problem, por puna në terren ende nuk ka nisur. Megjithëse infeksionet spitalore, sipas mjekëve, në shumë situata janë të pashmangshme, kushtet dhe higjiena mbeten dy faktorët kryesorë që diktojnë intensitetin e problemit që ato shfaqin, jo vetëm për shëndetin e pacientëve, por dhe kostot e trajtimit të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›