Papandreu: Nuk shesim ishujt për borxhet
Greqia nuk do të shesë asnjë nga ishujt e vet të detit Mesdhe, për të zvogëluar borxhet e saj, pasi ato janë pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit dhe janë të rëndësishme për turizmin, deklaroi kryeministri grek, Jorgos Papandreu, në një intervistë për gazetën gjermane "Bild". I pyetur për mundësinë që Athina t'i shesë ishujt e saj, Papandreu deklaroi se "një gjë e tillë është përjashtuar". "Duhet të kuptoni sesa janë të rëndësishme këto ishuj për Greqinë dhe historinë greke. Ne kemi shpenzuar shuma të mëdha të buxhetit për këtë gjë", shtoi Kryeministri grek. "Bild" zhvillon fushatë prej rreth një viti me mbishkrime, në të cilat Greqia nxitet të mendojë për shitje të mundshme të ishujve të saj, si mjet për zvogëlim të borxhit të madh. Megjithatë, Greqia ende vazhdon të bëjë më shumë borxhe nga sa lejon pakti europian, për stabilitetin dhe rritjen ekonomike. Borxhi vjetor i shtetit është ulur nga 16% në 9% të Produktit të Brendshëm Bruto, por kjo kuotë është shumë më e lartë se kufiri prej 3 %, për të cilin kanë rënë dakord vendet e eurozonës. Papandreu pranoi se mbetet ende shumë për të bërë. „Problemi në Greqi nuk ishte edhe aq buxheti. Ekonomia greke kishte humbur aftësinë konkurruese, ne thjesht kemi blerë më shumë nga sa kemi shitur. Për këtë arsye, shumë nga reformat synojnë ta bëjnë ekonominë tonë më konkurruese".