Borxhet e Greqisë ende shumë më të larta se, kufiri i BE 3%
Greqia ende vazhdon të bëjë më shumë borxhe nga sa lejon pakti evropian, për stabilitetin dhe rritjen ekonomike. Borxhi vjetor i shtetit është ulur nga 16% në 9% të Produktit të Brendshëm Bruto, por kjo kuotë është shumë më e lartë se kufiri prej 3 %, për të cilin kanë rënë dakord vendet e eurozonës. Papandreu pranoi se mbetet ende shumë për të bërë. “Problemi në Greqi nuk ishte edhe aq buxheti. Ekonomia greke kishte humbur aftësinë konkurruese, ne thjesht kemi blerë më shumë nga sa kemi shitur. Për këtë arsye, shumë nga reformat synojnë ta bëjnë ekonominë tonë më konkurruese". Tani më e rëndësishmja është të transformohet ekonomia, në mënyrë që të rriten të ardhurat. Kancelarja Angela Merkel la të kuptohet se ka gatishmëri për t'i dhënë Greqisë më shumë kohë ,për arritjen e këtij synimi. Paketa e shpëtimit për Greqinë ka një afat prej tri vjetësh. Merkel tha se është e mundur që ky afat të zgjatet. Për ndihmat e BE-së, Greqia është zotuar të ndërmarrë reforma të gjera. Shpenzimet buxhetore u shkurtuan dukshëm, është reformuar sistemi i pensioneve, janë ulur rrogat e punonjësve të sektorit publik. Në të njëjtën kohë, shteti po vepron më fort kundër evazorëve fiskalë. Papandreou: “Ne jemi zotuar të rregullojmë punët në shtëpinë tonë, të ndërmarrim ndryshime, të cilat duheshin bërë prej kohësh. Ne kemi pasur rezultate, kemi ende dhe do të vazhdojmë të kemi“.