Maxhoranca “ngrin” komisionin hetimor
ADI SHKEMBI
Maxhoranca bën një hap mbrapa për hetimin e zgje-dhjeve. Megjithëse dje ishte parashikuar që të zhvillohej mbledhja e parë e komisionit hetimor për bërjen e transparencës së procesit të 28 qershorit, shumica e djathtë nuk u mblodh. Burime pranë Partisë Demokratike bënë të ditur dje për gazetën se shtyrja e kësaj mbledhjeje u bë për t’i dhënë një mundësi tjetër opozitës. Konkretisht, nëse dje do të ishte thirrur komisioni hetimor, do të bëhej konstituimi, çka nga ana ligjore bënte të pamundur ndryshimin e raporteve të shumicës dhe opozitës. Në kushtet kur Kryeministri Berisha është shprehur i gatshëm që PS-ja të marrë shumicën në komision. Anëtarët demokratë e shtynë këtë mbledhje që në rast se gjatë këtyre ditëve do të ketë një marrëveshje mes partive, ata do t’ia lënë pikërisht opozitës numrin më të madh të anëtarëve. Kjo pritet të realizohet me tërheqjen e një prej tetë anëtarëve të PD-së dhe marrjen nga Partia Socialiste të këtij anëtari, çka do t’i çonte raportet në komision 8-7 për PS-në. Në votimin e të premtes, ngritja e komisionit u shoqërua me dhënien opozitës të kryetarit, ndërkohë që shumicën e mori vetë PD-ja.
Reagimi i PS
Partia Socialiste hodhi poshtë dje zyrtarisht ofertën e Kryeministrit Berisha për të kontaktuar 100 prokurorë që do të merren me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke folur në një konferencë për shtyp, deputeti Ditmir Bushati tha se mjafton një komision hetimor që nuk ndalon hapjen e kutive dhe jo 100 prokurorë. “Për sa i përket propozimit të vjetër të Sali Berishës për hetimin e zgjedhjeve nga një grup prej 100 prokurorësh, do të thosha se nuk duhen 100 prokurorë, por vetëm një mazhorancë që zbaton Kushtetutën dhe nuk pengon transparencën! Transparenca e kutive dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve është detyra kushtetuese e ligjvënësit. Nuk duhen 100 prokurorë, mjafton një komision hetimor që nuk ndalohet të hapë kutitë”, tha Bushati. Lidhur me seancën parlamentare të së premtes së kaluar, deputeti i PS-së, tha se vetëm një mazhorancë që i trembet të vërtetës, që fshihet në kutitë e votimit të 28 qershorit, mund të veprojë si në votimin e fundit ku ngriti një komision hetimor, i cili në thelb nuk lejon hapjen e kutive. “Duke i mohuar në mënyrë arrogante opozitës, e për më tepër në shkelje të plotë të ligjit, të drejtën kushtetuese për të hetuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, Sali Berisha jo vetëm që nuk e zgjidhi krizën, por vetëm sa kontribuoi në thellimin e saj. Ajo që përjetuam në Kuvend të premten ishte prova më e qartë se Sali Berisha nuk e do dialogun e konsensusin, duke dëshmuar nivelin mjeran të kulturës demokratike të kësaj mazhorance”, tha më tej deputeti Bushati, sipas të cilit ky komision hetimor me objekt pune të imponuar është i papranueshëm dhe nuk mund të njihet nga opozita.