E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dëmtuarit e Gërdecit do të dëmshpërblehen me para në dorë

Qeveria premton rimbursim pas procesit të vlerësimit të dëmeve. Pension të përhershëm për viktimat e rëna dhe 50 mijë lekë
Erald Kapri

Dëmet e shkaktuara nga tragjedia në fshatin Gërdec do të dëmshpërblehen të gjitha. Ky është premtimi i qeverisë, e cila ka premtuar se për çdo dëm do të ketë rimbursim me para në dorë për të gjithë të dëmtuarit. Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e qeverisë se do të ketë një dëmshpërblim të plotë për të prekurit, menjëherë mbas vlerësimit të dëmeve nga grupet e punës. “Ne do t’i rimbursojmë kryefamiljarët e familjeve të dëmtuara për të gjitha dëmet. Sapo të përfundojë vlerësimi, Ministria e Financave po bën gati vendimin dhe skemën e disbursimit të shumave për çdo familje, në përputhje me dëmin që ka pësuar. Kryetari i Bashkisë Vorë, së bashku me kryepleqtë e fshatrave të zonës, kanë bërë takime të gjëra komunitare dhe po predominon mendimi se mënyra më e mirë për të riparuar është akordimi direkt i fondeve të lekëve familjeve për të ndërtuar shtëpinë e tyre. Kjo mund të jetë edhe mënyra më e shpejtë”, - tha kryeministri. Berisha bëri të ditur se vlerësimi i dëmeve do të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që edhe dëmshpërblimi të jepet sa më herët për të ndërtuar shtëpitë.
Dëmshpërblimi
Të dëmtuarit nga shpërthimi në fshatin Gërdec do të përfitojnë dëmshpërblim me para në dorë nga qeveria menjëherë sapo të verifikohet sasia e dëmit. Kjo mënyrë, sipas kryeministrit Berisha, mund të jetë më e shpejta, ku njëkohësisht me paratë e përfituara, banorët mund të bëjnë çfarë të dëshirojnë, pasi është e drejta e tyre. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave vendosi t’u japë familjeve me shtëpi të pabanuara një shumë prej 50 mijë lekësh të rinj për frymë. Kryeministri Berisha tha se kjo shumë do të shkojë për familjet që gjenden në kushte të veçanta. Çdo familje e prekur në këtë tragjedi do të përfitojë menjëherë fondin prej 50 mijë lekësh për frymë, në mënyrë që të përballojë edhe kushtet aktuale të jetesës në të cilën ndodhen këto familje në këto momente.
Vlerësimet e dëmeve
Kryeministri falënderoi firmat ndërtuese, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në ndërtimin e shtëpive, duke i ftuar që këtë ndihmë t’ua ofrojnë direkt banorëve të kësaj zone. “Kompani ndërtimi kanë treguar gatishmëri për të dhënë kontributin e tyre për të ndërtuar vetëm me lekët e kostos. Unë i falënderoj për ofertat që kanë bërë, por i ftoj që këto oferta t’ua bëjnë nëpërmjet përfaqësuesve të komunitetit, banorëve të zonës, të cilët, sipas rastit, mund t’i pranojnë ose jo”. Duke informuar mbi ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve, kryeministri bëri të ditur se dje kanë operuar 40 grupe vlerësimi, të cilat kanë bërë vlerësimin e 1300 banesave dhe pritet që ky proces të përfundojë shumë shpejt. “Ekipet, me të gjitha mjetet e domosdoshme për vlerësimin më të saktë, kanë bërë vetëm dje vlerësimin e 1300 banesave, deri tani kryesisht me punonjës të prefekturës dhe të bashkisë. Ata kanë bërë vlerësimin, së bashku me të zotët e shtëpive, të cilët në fund të vlerësimit nuk kanë shprehur asnjë vërejtje dhe kanë firmosur të gjithë dokumentin që identifikonte dëmin material në banesën e tyre. Sot ose nesër përfundon vlerësimi i plotë i dëmit”, - tha Berisha.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›