E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit e nëntokës në Bulqizë solidarizohen me protestën e Tiranës

Bulqizë Rreth 700 minatorë ndërprenë punën për një orë

Rreth 700 minatorë në Minierën e Nxjerrjes së Kromit Bulqizë, më e madhja në vendin tonë dhe më gjerë, kanë protestuar gjatë ditës së djeshme, duke ndërprerë punën për një orë në minierë. Protesta e minatorëve ka nisur në orën 11.30, paralelisht dhe në mbështetje të protestës së sindikatës së minatorëve nën drejtimin e kryesindikalistit Fiqiri Xibri, e cila është zhvilluar në Tiranë para Kryeministrisë. Ndërkohë, një përfaqësi prej 8 minatorësh sindikalistë të Minierës së Bulqizës, kanë marrë pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë, duke iu bashkangjitur kështu protestës së paralajmëruar të sindikatës së minatorëve të drejtuar nga Fiqiri Xibri, e cila u zhvillua ditën e djeshme në dyert e qeverisë. Kryesindikalisti i minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, thotë se 700 minatorë të kësaj miniere, nuk do të reshtin në protestat e tyre deri në plotësimin e kërkesave modeste që kanë. Ndër kërkesat kryesore të minatorëve, mbetet ajo për statusin e minatorit, ulja e moshës së pensionit nga 60 në 50 vjeç, kur ke mbushur 35 vite punë dhe prej tyre 10 vite në thellësi të nëntokës, rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës, përfshirë edhe kërkesa që kanë të bëjnë me rritjen e çmimeve, veçanërisht atë të energjisë elektrike, ujit etj., nga ana e qeverisë. Para pak ditësh në qytetin e Bulqizës, në kuadër të 62-vjetorit të minierës, dega e Partisë Social Punëtore Bulqizë, zhvilloi një aktiv të zgjeruar kushtuar të rënëve gjatë punës në këtë minierë. Morën pjesë edhe familjarë të të rënëve në minierë, si dhe kryetari i PSP-së, dr. Ramadan Ndreka, ku u kërkua që gjithë të rënët të shpallen dëshmorë të punës dhe për familjet e tyre të lidhet një pension i posaçëm. Ndërkohë u kërkua që në dhënien e statusit për minatorët të përfshihet edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili gjatë vitit të kaluar në një vizitë në qytetin e Bulqizës e ka premtuar dhënien e statusit për minatorët. Protesta e djeshme e 700 minatorëve të Bulqizës e cila u zhvillua në mënyrë paqësore, doli me mesazhin për vazhdimin pa limit të këtyre protestave, deri në plotësimin e kërkesave të tyre tejet modeste dhe plotësisht të realizueshme nga ana e qeverisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›