E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësit e pastrim-gjelbërimit në protesta

08/12/2009  Sot do të organizohet një tubim i madh, kanë 2 muaj pa paga

Gjendje e nderë dhe në Këshillin bashkiak, kërkohet largimi i kreut

PATOS- Është pezulluar sërish mbledhja e këshillit bashkiak të Patosit dhe ende nuk ka marrë zgjidhje problemi i pagesës qysh prej 2 muajsh të punonjësve të komunales dhe pastrim-gjelbërimit në qytetin naftëtar të Patosit. Sipas punonjësve, ata do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në zgjidhjen e problemit. Ata kanë lënë protestën pikërisht në ditën e sotme para godinës së Bashkisë Patos. Gjendja e nderë vijon edhe në Këshillin Bashkiak të Patosit. Pas mbledhjes së dështuar të ditës së premte, Këshilli Bashkiak ende nuk është mbledhur. Kreu i këtij këshilli, Maksim Goga, ndaj së cilit është dhënë edhe mandat mosbesimi nga 15 këshilltarë, ka kërkuar të mbledhë konferencën e kryetarëve të grupeve, konferencë e cila pritet të nxjerrë nga gjendja e krijuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Patosit. Sakaq 15 kërkuesit e mosbesimit ndaj kreut të Këshillit Bashkiak Maksim Goga, shprehen se kjo kërkesë duhet të futet në rendin e ditës dhe ata pohojnë se ajo është plotësisht e ligjshme, madje sipas tyre pas kësaj kërkese do të kalojnë për diskutim edhe çështje të tjera përfshi edhe fondin e pagave të punonjësve të pastrimit dhe gjelbërimit. Ata kanë këmbëngulur edhe në ngritjen e një Komisioni për Verifikimin e Veprimtarisë Ekonomike të Bashkisë së Patosit, sidomos për buxhetin e saj. Në mbledhjen e shkuar kjo kërkesë u hodh poshtë nga kreu i bashkisë, i cili tha se buxheti i Bashkisë Patos është tërësisht i kontrolluar sipas vet zërave të tij miratuar nga vet Këshilli Bashkiak, fonde të cilat vijnë nga grandi qeveritar. Ndërkohë mbledhja e Këshillit Bashkiak është lënë për ditën e sotme në orën 9 paradite, ndërkohë në të njëjtën orë është lënë edhe protesta e punonjësve të gjelbërimit në këtë qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›