Pushimet jashtë shtetit, shqiptarët kanë shpenzuar këtë vit 840 milionë euro
Ervin Koçi
Shqipëria mund të konsiderohet ndër të paktat vende të botës që nuk ka një strategji të mirëfilltë ekonomike për të mbrojtur mosdaljen jashtë vendit të të ardhurave që siguron nga resurset kombëtare, siç janë turizmi, pasuritë natyrore, apo dhe prurjet nga remitancat (të ardhurat e emigrantëve). Një “sekret” të tillë e ka bërë publike Banka e Shqipërisë në raportin më të fundit të saj, ku është konfirmuar rrjedhja e madhe e parasë dhe sidomos e valutës që del nga vendi çdo vit, madje edhe në sasi më të mëdha nga ajo që hyn. Sipas këtij raporti, nga turizmi vendi siguron dhe humbet të ardhura në shuma pothuajse të barabarta, kjo për shkak të mungesës së politikës së kontrollit dhe të sigurisë. Raporti i BSH-së tregon se “nëse të ardhurat nga sektori i turizmit për 10 muajt e parë të vitit 2008 ishin rreth 900 milionë euro, shqiptarët që kanë udhëtuar jashtë për arsye të ndryshme (pune ose turizmi), kanë shpenzuar rreth 840 milionë euro, pra një sasi mjaft e përafërt me atë që është fituar”. Nga një përllogaritje e thjeshtë del se diferenca është vetëm 60 milionë euro në favorin tonë, pra ndryshe nga sa është pretenduar dhe reklamuar nga qeveria, sasia është fare minimale. Kjo është shumë pak nëse mendojmë që Shqipërinë e kanë vizituar këtë vit (për 10 muaj), rreth 2 milionë të huaj ose shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Sipas studimit të BSH-së, “shërbimet e udhëtimit kanë zënë peshën kryesore si në eksportin, ashtu edhe në importin e shërbimeve, duke kontribuar përkatësisht me nga 78 dhe 72 për qind të vlerave të përgjithshme të shërbimeve.
Prurjet në valutë
Diferenca prej 60 milionë eurosh që i ka mbetur vendit nga totali hyrës prej 900 milionësh, paraqitet me një përmirësim të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e cila regjistroi një suficit prej 54 milionë eurosh. Eksporti i këtyre shërbimeve, gjatë këtij 10-mujori ka sjellë rreth 900 milionë euro të ardhura dhe një rritje vjetore prej 19 për qind. Por nga ana tjetër, vlera e udhëtimit të rezidentëve shqiptarë jashtë Shqipërisë për pushime ose çështje pune, është vlerësuar në rreth 840 milionë euro, vëllim ky rreth 20 për qind më i lartë krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit 2007. Numri i udhëtarëve, i rritur me 24 për qind ka qenë përcaktuesi kryesor i kësaj rritjeje. "Rritja në nivelin e përgjithshëm të çmimeve në vendet e Eurozonës, të cilat janë destinacionet kryesore të udhëtarëve rezidentë, ka ndikuar gjithashtu në rritjen e shpenzimeve mesatare për udhëtimet dhe rrjedhimisht, në vlerën e përgjithshme të importeve të shërbimeve të udhëtimit", - shpjegon në raport BSH-ja.
Dërgesat e emigrantëve
Përfaqësimi i kategorisë së emigrantëve në grupin e vizitorëve jorezidentë, është veçanërisht i lartë gjatë 3-mujorit të tretë, periudhë në të cilën një numër i konsiderueshëm emigrantësh vizitojnë Shqipërinë për qëllime personale. Këto prurje në valutë kanë qenë rreth 27 për qind më të larta se të ardhurat nga eksporti i mallrave. Rritja e të ardhurave nga shërbimet e udhëtimit të ofruara në territorin e Shqipërisë ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të shqiptarëve që kanë vizituar vendin e tyre, rritje kjo prej rreth 36 për qind. Nga të dhënat e vrojtimit për shërbimet e udhëtimit të kryer nga BSH-ja, rezulton se rreth 47 për qind e udhëtarëve jorezidentë bëjnë pjesë në kategorinë e emigrantëve ose personave me kombësi shqiptare, që jetojnë në vende të tjera. Por ulja e të ardhurave nga emigrantët si pasojë e krizës ekonomike vitin që vjen, pritet të rëndojë buxhetin e mijëra familjeve në Shqipëri, veçanërisht atyre në zonat rurale duke thelluar varfërinë. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se më të prekurit do të jenë pensionistët që jetojnë me paratë që u dërgojnë fëmijët. Ekspertët shpjegojnë se ulja e të ardhurave nga emigrantët do të ndikojë edhe te deficiti tregtar. Për periudhën janar-shtator të vitit 2008 të ardhurat që emigrantët kanë dërguar në atdhe shënuan një rënie prej 13 përqindësh kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
14 Dhjetor 2008