E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare, emigrantët rrallojnë ardhjet në Shqipëri për festa



Kriza financiare që ka prekur gjithë botën po ndihet edhe tek emigrantët shqiptarë, që kanë rralluar ardhjen në vendin e tyre, ndërkohë që e njëjta situatë pritet të jetë edhe në festat e fundvitit. Kjo do të thotë më pak të ardhura për Shqipërinë dhe më shumë varfëri.
Gjatë periudhës janar-tetor 2008 në Portin e Durrësit kanë zbarkuar apo janë nisur më pak udhëtarë shqiptarë se vitin e kaluar. Shkak i numrit më të ulët të pasagjerëve mendohet të jetë kriza financiare që ka përfshirë vendet e rajonit. Në 10 muaj në Portin detar të Durrësit, i cili është edhe më i madhi i vendit tonë, kanë hyrë dhe kanë dalë me anë të trageteve rreth 395 mijë udhëtarë shqiptarë, në një kohë që një vit më parë ky numër ishte 404 mijë. Numri i tyre është ulur me gati 10 mijë pasagjerë, tregojnë statistikat 10 mujore të portit. Ulja e numrit ka ardhur pas sezonit veror pikërisht në një kohë që kriza ekonomike e cila ka prekur rajonin është bërë më e ndjeshme. Një situatë e tillë pritet të reflektohet edhe në fund të këtij viti pasi priten më pak pushues me rastin e festave të cilat janë fare pranë. Gjatë kësaj periudhe, kanë hyrë dhe dalë 152 mijë autovetura dhe 38 mijë kamionë, që sipas specialistëve të portit, është një numër relativisht më i lartë se ai i një viti më parë.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›