E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet kthejnë emigrantët, fluks dhe radhë në Kakavijë

KAKAVIJË - Kthimi i emigrantëve nga Greqia ka shtuar radhët në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Shkak është bërë dyndja e menjëhershme e mijëra emigrantëve që udhëtojnë me qindra automjete gjatë natës, në pritje për të hyrë në territorin shqiptar.
Pas mesnatës sipas të dhënave nga kjo pikë doganore kanë hyrë mbi 5100 emigrantë, e bashkë me ta edhe një numër i madh automjetesh.
Pala jonë është duke punuar me 10 sportele, për të lehtësuar procedurat dhe për të eleminuar pritjen e gjatë të emigrantëve.
Edhe dje janë shënuar radhë të gjata në Kakavijë, deri në 1,5 kilometër, ndërsa gjatë orëve të paradites gjendja ka ardhur drejt normalizimit. Informacionet e marra pranë këtij vendkalimi kanë bërë të ditur se, megjithëse është punuar me një numër të konsiderueshëm sportelesh, pala greke ka pasur në dispozicion të emigrantëve një numër të vogël sportelesh dhe kjo ka sjellë radhët e gjata. Emigrantët kanë deklaruar se në orët e para të mëngjesit pala greke ka punuar vetëm me dy sportele, për t'i shtuar ata më tej deri në 5 gjatë ditës. Ndërkaq, nga pala shqiptare janë vendosur në dispozicion të emigrantëve dhjetë sportele në hyrje dhe 3 në dalje. Vetëm brenda harkut kohor të 12 orëve kanë hyrë mbi 7 mijë emigrantë, 1500 automjete dhe 30 autobusë. Radhë janë shënuar gjithashtu edhe në vendkalimin Tri Urat në rrethin e Përmetit, ku vazhdimisht fluksi i lëvizjes është i ulët.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›