E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu përshëndet raportin e USAID-it: “Qeveria ka lehtësuar klimën e biznesit”



Zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht ministre e Integrimit, Majlinda Bregu, përshëndeti dje në një konferencë për shtyp raportin e USAID-it mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri. “USAID-i konfirmon edhe njëherë suksesin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend duke lehtësuar punën dhe ritmin e përditshëm të bizneseve shqiptare. Raporti mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri, përgatitur nga partnerët për programin e Pragut të Korporatës ‘Sfida e Mijëvjeçarit’ cilëson se: Ligji i ri mbi reformën në regjistrimin e biznesit, i miratuar në Parlament më 3 maj 2007 dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit përmirësuan në mënyrë drastike procesin e regjistrimit të biznesit në Shqipëri. Kjo reformë ishte një hap i rëndësishëm në arritjen e qëllimit të përgjithshëm të qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Ajo solli përfitime të rëndësishme për bizneset shqiptare dhe investitorët e huaj: një proces më të thjeshtë, më të shpejtë, më pak të kushtueshëm për regjistrimin dhe hapjen e një biznesi të ri”, - është shprehur Bregu.
Sipas saj, raporti vlerëson lehtësimin e procedurave të regjistrimit të biznesit; duke ulur tarifën në ngarkim të aplikantëve vetëm në 100 lekë; duke reduktuar kohën e nevojshme për të regjistruar një biznes të ri, në një ditë, dhe duke kombinuar të gjithë hapat e regjistrimit në një procedurë të vetme, përfshirë edhe administratën tatimore.
“Rezultatet e studimit tregojnë se: 90% e të intervistuarve e përcaktuan nivelin e kënaqësisë nga shërbimet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, si të mirë ose shumë të mirë. 93% e të intervistuarve pohojnë se procedurat e aplikimit janë shumë të qarta dhe ky rezultat nuk ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në varësi të vendndodhjes së biznesit ose llojit të të intervistuarit. Shumica e të intervistuarve pohojnë se kanë marrë certifikatën e regjistrimit të biznesit brenda 24 orëve nga momenti i paraqitjes së kërkesës së tyre. Rritja me 48% e regjistrimit të bizneseve vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2010, konkretisht në 10. 514 në krahasim me 6 mujorin e parë të vitit 2009, kur ishte 7089 biznese të regjistruara, është një nga treguesit kryesorë të kësaj performance dhe efikasitetit të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Lehtësimi i procedurave për regjistrimin e biznesit, transparenca në shërbimet publike, transparenca në shërbimet online të prokurimeve elektronike, janë reformat kryesore dhe elementët e vlerësuara në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve si pjesë dhe hallka kyçe në luftën kundër korrupsionit”, - është shprehur Bregu.

4 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›