E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ruhen, gjatë dhe pas detyrës, personalitetet e larta shtetërore



Dy vendime të qeverisë, të miratuara në vitin 2007 dhe që parashikojnë mënyrën e ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore, janë botuar së fundi në Fletoren Zyrtare. Megjithëse ligji parashikon që çdo vendim apo ndryshim në ligj hyn në fuqi dy javë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare, vendimet e lartpërmendura kanë hyrë në fuqi me kohë, pavarësisht se janë botuar vetëm pak ditë më parë në Fletoren Zyrtare. Dy ligjet parashikojnë ndryshime në ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”. Në bazë të këtyre ndryshimeve parashikohet ruajtja me eskortë e prokurores së Përgjithshme dhe e ministrit të Brendshëm.
Ndryshimet
“Garda e Republikës së Shqipërisë do t’i ruajë dhe mbrojë edhe këto personalitete të larta shtetërore të vendit: prokurorin e Përgjithshëm dhe ministrin e Brendshëm, me eskortë”, parashikohet në ndryshimet e bëra në vitin 2007 në ligjin për Gardën e Republikës së Shqipërisë. Ndërsa zëvendëskryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës së Lartë, kryetari i Kontrollin të Lartë të Shtetit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryetari i maxhorancës parlamentare, parashikohet të ruhen me shoqërim, me oficer e nënoficer, shoqërues. Zëvendëskryetarët e Kuvendit do të ruhen me nënoficer shoqërues. Anëtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë është parashikuar të mbrohen me shofer shoqërues. Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës është parashikuar mbrojtje dhe ruajtje me oficer shoqërues. Për kryetarin e partisë më të madhe të maxhorancës parlamentare është parashikuar mbrojtje me shoqërim, me oficer e nënoficer shoqërues. Ndërsa për kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare është parashikuar mbrojtje me oficer shoqërues.
Këto ndryshime kanë sjellë shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2005 dhe kanë reduktuar ndjeshëm numrin e truprojave për personalitetet e larta shtetërore.
Një ndryshim tjetër që i është bërë ligjit është parashikimi i ruajtjes dhe mbrojtjes nga Garda e Republikës e personaliteteve të larta pas lirimit nga funksioni drejtues.
“Garda e Republikës së Shqipërisë do të ruajë dhe mbrojë, pas lirimit nga funksioni, edhe këto personalitete të larta shtetërore: prokurorin e Përgjithshëm; ministrin e Brendshëm. Personalitetet e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi ruhen dhe mbrohen, me shoqërim, me oficer e nënoficer shoqërues edhe 2 muaj pas lirimit nga funksioni”, - parashikohet më tej në vendim. Pra, nga dy vjet që është parashikuar në ligjin për Gardën, prokurori i Përgjithshëm dhe ministri i Brendshëm, nëpërmjet ndryshimeve të bëra, do të ruhen vetëm 2 muaj pas lirimit nga detyra.
Ligji për Gardën
Në nenin 4 të ligjit bazë për Gardën e Republikës së Shqipërisë janë parashikuar të gjitha personalitetet e larta që ruhen dhe mbrohen nga Garda. Në bazë të këtij ligji, Garda ruan dhe mbron Presidentin e Republikës; kryetarin e Kuvendit; kryeministrin, si dhe familjet e tyre; personalitetet e huaja që vijnë në vendin tonë në rang të njëjtë me personalitetet shqiptare; kryetarin e Gjykatës Kushtetuese; zëvendëskryetarët e Kuvendit; anëtarët e Këshillit të Ministrave; kryetarin e Gjykatës së Lartë; prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e SHISH-it; kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit; guvernatorin e Bankës së Shtetit; avokatin e Popullit; kryetarin e KQZ-së; kryetarin e partisë më të madhe të maxhorancës parlamentare; kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës; rezidencat presidenciale, të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave, si dhe seli e rezidenca të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Në këtë ligj është parashikuar që Presidenti i Republikës së Shqipërisë ruhet edhe 4 vjet pas lirimit nga funksioni, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri edhe 3 vjet pas lirimit nga funksioni, kurse kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës së Lartë, kryetari i SHISH-it edhe dy vjet pas lirimit nga funksioni.

Presidenti, 2 milionë lekë në vit për dhurata simbolike

Një tjetër vendim që është botuar së fundi në Fletore Zyrtare është dhe ai për trajtimin e personaliteteve të larta shtetërore. Në bazë të këtij vendimi, “Presidenti i Republikës ka të drejtë të japë dhurata simbolike për personalitetet e larta, brenda dhe jashtë vendit, deri në 2 000 000 lekë në vit, ndërsa kryeministri dhe kryetari i Kuvendit deri në 1 800 000 lekë në vit. Nevojat mbi këto kuota miratohen
me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Shpenzimet për dhurata përballohen nga vetë institucionet”, parashikohet në këtë vendim.

4 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›