E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët, 9 ditë kohë për të dorëzuar kërkesën për kompensim pranë AKKP-së



Eljona Ballhysa
Pronarët, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje, kanë edhe nëntë ditë kohë për të plotësuar kërkesën për kompensim financiar dhe për ta dorëzuar atë pranë Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo agjenci ka nisur procesin e pranimit të kërkesave për kompensim financiar për këstin e parë për të gjitha ata pronarë që tokat u janë zënë nga ndërtimet informale që më datën 12 korrik 2010, ndërkohë që procesi, sipas njoftimit të Agjencisë, zgjat vetëm 30 ditë kalendarike. Kjo do të thotë se procesi pritet të mbyllet në datën 12 gusht, ndaj dhe të gjithë të interesuarit duhet të nxitojnë të plotësojnë kërkesën dhe ta depozitojnë atë pranë zyrës qendrore të Agjencisë së Pronave.
Kërkesa
Në sajtin zyrtar në internet, Agjencia e Pronave ka publikuar një formular që duhet plotësuar nga pronarët që janë të interesuar të përfitojnë nga procesi i kompensimit financiar. Formulari përmban emrin, atësinë dhe mbiemrin e subjektit përfitues të kompensimit. Po kështu është parashikuar që subjekti përfitues, në rast pamundësie, mund të bëjë kërkesë nëpërmjet një përfaqësuesi, i cili është i pajisur me prokurë. Edhe ky duhet të bëjë publike gjeneralitetet e tij, emrin, atësinë mbiemrin dhe adresën e banimit. “Në përputhje me nenin 15/1 të Ligjit Nr. 9482, datë 03.04.2006, ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar, neneve 5 dhe 6 të Ligjit Nr. 10 239, datë 25.02.2010 ‘Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave’ si dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 383, datë 19.05.2010 ‘Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale’, kërkoj kompensimin e pasurisë së paluajtshme që preket nga ndërtimet informale”, - shkruhet në kërkesën tip dhe më pas subjekti i interesuar nënshkruan kërkesën. Në këtë formular, i cili është një dokument zyrtar, parashikohet se paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre sjell përjashtimin e menjëhershëm nga çdo procedurë e mëtejshme, si dhe përgjegjësi penale sipas ligjit.
Njoftimi
Sipas njoftimit zyrtar të kësaj agjencie, Drejtoria e Kompensimit të Pronave tashmë ka përcaktuar dokumentet që duhet të dorëzojnë aplikuesit si dhe procedurat që do të ndiqen. Në njoftimin zyrtar thuhet se pas vendimit të Këshillit të Ministrave ‘Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale’, Agjencia ka vendosur si afatin e fundit për dorëzimin e kërkesës 12 gushtin. Me këtë rast, AKKP i fton të gjitha subjektet e interesuara, emrat e të cilave janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, të paraqiten pranë zyrave për dorëzimin e kërkesës për kompensim. Të gjitha subjektet e interesuara duhet të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë: rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr.54, Tiranë.
Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 (dy mijë) lekë pranë zyrës së financës së AKKP-së dhe të hapin në emër të tyre një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë. Në bazë të vendimit të qeverisë, Agjencia e Pronave, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, njofton publikisht listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave për periudhën përkatëse. Në njoftimin publik duhet të përcaktohen: gjeneralitetet e përfituesit; periudha kohore e paraqitjes së kërkesës; dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës; vlera e tarifës së shërbimit; si dhe detyrimi për subjektet përfituese për të hapur, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Procesi i regjistrimit dhe i pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik dhe vazhdon për 30 ditë. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, ngrihet grupi i punës për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Kompensimi bëhet në masën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ku parashikohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
Dokumentet
Në bazë të vendimit të qeverisë, subjekti apo përfaqësuesi me prokurë i tij, brenda afatit të përcaktuar në njoftimin publik, paraqet pranë zyrës së AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm: kërkesën për kompensimin e pronës sipas formatit tip, bashkëlidhur këtij vendimi; dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie; prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre; vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar; fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatën familjare të kërkuesit; mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit.

Bashkëpunimi për verifikimin e të dhënave

AKKP-ja bashkëpunon me ALUIZNI-in dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për verifikimin e konfirmimin e të dhënave për subjektet përfituese. Brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit për paraqitjen e kërkesës për kompensimin e pronës, kryhet verifikimi dhe më pas drejtori i AKKP-së nxjerr vendimin për miratimin e listës së subjekteve që kompensohen, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të derdhet vlera e kompensimit; urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen; si dhe njofton kërkuesin, që nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, AKKP-ja realizon ndarjen e fondit aktual të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse.

Pronari apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së në Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:

1. Kërkesën tip që i bashkëlidhet VKM-ve të mësipërme, të plotësuar sipas rubrikave.
2. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së tyre, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (në rast se subjekti përfitues nuk jeton).
3. Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre.
4. Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare.
5. Dokument identifikimi si dhe certifikatë familjare të kërkuesit/aplikuesit.
6. Mandat-pagesën për shumën 2000 (dy mijë) lekë.

4 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›