Meta: “Të mos diskutohet vendimi i GJND-së”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka deklaruar dje se statusi i Kosovës është një çështje legjitime dhe se Serbia duhet ta njohë atë në prespektivë me të ardhmen europiane të rajonit. “Pas këtij vendimi të shikohet përpara. Statusi i Kosovës është akoma edhe më shumë jo vetëm një çështje legjitime, ndërsa diskutimi midis Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm në interes të qytetarëve dhe integrimit europian të dy vendeve”, - është shprehur Meta, në një dalje përpara gazetarëve. Duke folur për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës, kreu i diplomacisë shqiptare ka pohuar se ka një progres. “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë njohur një progres të theksuar. Gjatë kësaj periudhe ka pasur disa shkëmbime vizitash. Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje. Këto marrëdhënie do të ecin përpara dhe ne shpresojmë që edhe Serbia të reflektojë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të shohë të ardhmen europiane”, - theksoi Meta.
Në lidhje më krizën politike në vend, kreu i LSI-së ka fajësuar opozitën, e cila sipas tij, nuk ka shfrytëzuar mundësitë ligjore në dispozicion. “Mazhoranca ka qenë e hapur për transparencën e procesit zgjedhor. Edhe kryeministri Berisha është shprehur në favor të reformatimit të komisionit parlamentar, ndërsa për çështjet e tjera dihet se pengesa ka qenë vetë opozita që nuk ka shfrytëzuar instrumentat ligjorë që ka pasur në dispozicion”, - deklaroi Meta.
4 Gusht 2010