Pushimi me pasoja i Kuvendit të Kosovës

Mallzum Baraliu thotë se pushimi i hershëm në Kuvendin e Kosovës mund të ndikojë drejtpërdrejt në këtë proces. Ai shton se mosrrumbullakimi i ligjeve deri në shtator, do ta komplikojë situatën ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar.
"Padyshim që mund të ketë influencë jo të dëshiruar, sepse do të mund të vlerësohej si diçka që nuk paraqet seriozitet të institucioneve tona në respektimin e dinamikës dhe planit të paraparë për të përmbyllur pavarësinë e kushtëzuar”, thotë ai “Radio Evropa e Lirë”.
Ndryshe, pushimit të hershëm të Kuvendin e Kosovës vendi mund t’ia sheh sherrin edhe procesi integrues evropian, vlerëson Shenoll Muharremi, njohës i rrethanave integruese. Sipas tij, stina e verës këtë vit është më e ngjeshura sa i përket integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, për shkak se në muajin tetor pritet vlerësimi i Bashkimit Evropian se a është ose jo e gatshme Kosova që të fillojë negociatat për marrëveshjet për Stabilizim-Asociim.
Sipas Muharremit, janë dy skenarë të pritur se mund të ndodhin në tetor. Ai thotë se mund të pritet që Kosovës t’i thuhet se është e gatshme për t’i filluar negociatat për Stabilizim-Asociim ose e kundërta - e që është opsion më i besueshëm - t’i tregohet përsëri se cilat janë reformat që duhet t’i ndërmarrë në mënyrë që të jetë e gatshme që t’i fillojë negociatat.
“Ne tash kemi drojë që në tetor nuk do ta marrim dritën jeshile, por do ta marrim listën e reformave, të cilat ne nuk i kemi ndërmarrë dhe për të cilat qe një kohë të gjatë i dimë se cilat janë. Kjo do të mund t’ia humbë Kosovës, qytetarëve dhe bizneseve të vendit, rreth dy vite të procesit të integrimeve edhe ashtu tepër të vonuar për qytetarët e Kosovës”, thekson Muharremi.
Sido që të jetë, Muharremi shprehet se e gjithë kjo që po ndodhë e vë në dyshim sinqeritetin, dëshirën dhe vullnetin politik të pushtetit për integrimet evropiane. (rel)