E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushkatimi i klerikut që nuk pranoi akuzat për tradhti ndaj atdheut

Autori i Lajmit: Red.
Ushtima dhe duhija e fjalës së Don Dedë Malaj, ra si një ortek në atë sallë gjyqi, me turr e gjamë e rrebtë si rrëfeja që zbriste tue shkrepë shkëndia nga Selca e Kelmendit, nga gjiu i Bjeshkëve të Nêmuna, ku gurgullon qumështi me shkumbë e gjak përzi e, ku, nana Lulë përkrah burrit të saj Keq Lucës (Malaj), që i vringëllonin armët ndër mote e, që, më 16 nandor 1917 i kishin falë Shqipnisë një vigan drangue malësh.
Ndërsa, At Konrrad Gjolaj po të njajtës pyetje, i përgjigjet: “Qysh se fillova me marrë dije ndër bankat e shkollës së Don Alfonsit kam kuptue çfarë asht komunizmi dhe, prej asaj kohë nuk kam dashtë me
ia ndigjue emnin. Kurrë nuk e kam dashtë atë ide!” Ndër ato banka gjyqi qëndronin me ballin nalt vëllaznit Lazër e Gjon Simon Parubaj, Vlash Zefi e Gjeto Luc Budashi. Ndërsa, në një qoshe strukej si
langua Lulash Toma. Në Shkodër nuk bisedohej tjetër veç për këtë gjyq që kishte fillue e shumë vetë nuk besonin se janë tue ndigjue me veshë, atë çka asnjë njeriu nuk i shkonte në mend se mund të flitej.
Cili mujt më folë kundër Bashkimit Sovjetik? Kush mujt me tregue, se ç ka ba Stalini për me formue kolkozët? Kush mund të fliste për hekrat e ndryshkun që sillnin sovjetikët në Shqipni, të bojatisun sipër
tue u krenue për “ndihmën e madhe” që po i jepnin Shqipnisë? Kush, deri atëherë kishte mujtë me folë, se ku shkojnë mineralet e metalet e nëntokës shqiptare dhe kush e merr valutën e tyne? Cili ka mujtë me u
thanë fshatarëve hyni ndër kooperativa, se, ky sistem të qet fare mos me iu bindë urdhnave dhe ligjve të tija? Kush ka mujtë me folë për punën, mundin, djersën e fshatarit dhe të punëtorit e për shpërblimin që paguen shteti? ka thanë në gjyq me za të naltë se “Enver Hoxha dhe ju klyshët e tij, jeni shfrytëzuesit ma të egër të mundit dhe djersës së popullit shqiptar që njeh historia. Ju kërkoni me më pushkatue vetëm e vetëm se jam Prift Katolik dhe asgja tjetër, mbasi unë as nuk jam trathtar i atdheut e as spiun i popullit tem”
Na dukej andërr, po ishte një e vërtetë! Fliste Don Dedë Malaj! Nuk i lente gja mangut as miku i tij, At Konrrad Gjolaj ...
VENDIMI
Më datën 27 prill 1959, Kryetari i gjyqit, Mustafa Qilimi, dha vendimin:
Don Dedë Malaj, me vdekje, me pushkatim. At Konrrad Gjolaj, me 25 vjet burg. Lazër Simon Parubaj, me 20 vjet burg. Gjon Simon Parubaj, vëllau i Lazrit, me 10 vjet burg. Vlash Zefi me 15 vjet burg. Gjeto Luc Budashi me 10 vjet burg dhe Lulash Toma me 5 vjet burg. Atë mbramje, kur doli nga gjyqi Don Deda, e hypën në një kamjon “zis”, një turmë policësh e ulën galuc. Ndërmjet dy rrypave të dërrasës mbi spondë kujtoj dy sytë e tij të bamë kuq. Nuk shihej as e bardha e as bebja e synit e kaltërt, vetëm dy njolla gjaku, që asnjëherë nuk mund t i harroj ...Më datën 12 maji 1959, u ekzekutue vendimi. Don Dedë Malaj u pushkatue në një fushë buzë liqenit të Shkodrës. Pra, 14 ditë para vizitës së Nikita S. Hrushovit në Shkodër! Me datën 10 tetor 1991, asht ba rivorrimi i eshtnave të tij në vorret e Sukave të Dajçit të Bregut të Bunës, të famullisë ku ai ka shërbye me pjesëmarrjen e mijëra e mijëra fshatarëve të atyne krahinave dhe të shumë qytetarëve të Shkodrës, që nuk e kishin harrue gjyqin e tij historik. Fjalën e rastit, me lot për faqe dhe me ndërpremje të shpeshta përmallimi e ka mbajtë shoku dhe miku i paharrueshëm i tij deri në ditën e fundit të jetës At Konrrad Gjolaj. Fjala e tij u mbyll kështu: “ ...Ti ishe lajmëtar i fjalës së Krishtit! Armiqtë Tuej me britma e virrma që kanë me i ndjekë edhe përtej vorrit, kërkuen me mbulue vrasjen Tande të pafajshme, në atë breg liqeni....Nuk pat kush me të mbulue atë gjoks të zgaqun dhe të shpuem me plumba prej dorës mizore të tyne, veç, atë nade, herët, ra si vesa avulli i gjakut Tand, mbi Ty, o i bekuem!”.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›