E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 56, kur klerikët e rinj dilnin nga shkolla marskiste-leniniste

Autori i Lajmit: red.
Urrejtja e Sigurimit të Shtetit fillon në vitin 1950, me qëndrimin e tyne të vendosun dhe kundërshtar, ndaj kërkesës se vjetër të shtetit për nënshkrimin e Statutit të Kishës Katolike Shqiptare. Lidhja e Don Dedë Malaj, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, At Zef Saraçit, At Marin Sirdanit etj. me Don Kolec Prennushin për mos me aprovue nënshkrimin e këtij Statuti dhe mënyra sesi këta burra e kanë
kundërshtue haptas atë, ka hapë menjëherë dosjen konsultative të Sigurimit: “Çfarë dhe si duhet të bëjmë që t i zhdukim këta klerikë?” Pas nënshkrimit të Statutit në vitin 1951, përveç tre të parëve që nuk kanë
firmue, në konferencën e Paqës në Tiranë në vitin 1952, u përcaktuen edhe ata klerikë që ishin në kapërcyll, as andej as këndej. Ata që nuk u bashkuen me turmën as në këtë konferencë edhe pse kishin firmue
Statutin, mbetën armiq, shumica e të cilëve përfundoi ndër burgje. Deri në vitin 1956 duket, sikur, ka një qetësi! ... E vërteta asht ndryshe! Nuk kishte sesi të dënohej kulti i Stalinit tue pushkatue Priftin!
Mardhëniet me Bashkimin Sovjetik kishin marrë ngjyra të tjera mbas vdekjes së Stalinit. Hrushovi kërkonte mënyra të tjera qeverisjeje. Ai diktaturën staliniane kërkonte me e zëvendësue me asfiksimin e armiqve të
tij. Nuk ishte për pushkatime, por për vdekjën e natyrshme të imponueme me mjete paqësore, me “izolime” ose.... Edhe satelitët e sovjetikëve do të mbanin qëndrime të “moderueme” si padroni. Kuadri i ri që i nevojitej klerit, tashti merrej nga bankat e shkollave socialiste, ku filozofia marksiste-leniniste kishte pushtue edhe mendjet e njerëzve në skutat ma të largëta të vendit. Dukej kohë zbutje, por në të vërtetë ishte kohë grumbullimi energjie për ofensivën përfundimtare, për “triumfin e plotë” të sistemit socialist.
Në vitin 1956, arrestohet At Rrok Gurashi, një “dhelpën e vjetër”(siç e quen At Çiprian Nika), që në grupin e klerikëve në 1946 kur u ka dalë dëshmitar të gjithë shokëve të vet. Tregohet si anekdotë, kur njëditë nade, po veshej e rregullohej At Rroku, Don Ejëll Deda, edhe ky në burg me të, i thotë: “A po bahesh gati
me shkue me rrejtë edhe sot Padër Rrok?”...
Këtë radhë një proces-verbal për Xheudet Milotin. Xheudeti ishte shefi i Seksionit Katolik në Degën e Mbrendshme të Shkodrës. Kujtohet nga shkodranët kur ka arrestue At Pjetër Meshkallën dhe mënyrën si i ka ra me shkelm tue e shtye e futë në xhipsin e Sigurimit. Mbas vrasjes së gjeneralit tij “të dashtun”u trasferue në Ministrinë e Mbrendshme në Tiranë dhe mbas vitit 1990, për këtë kontribut “të vyer” kundër Klerit Katolik, me ndërmjetësinë e Sofokli Lazrit e Spiro Dedës, edhe këta “miq të klerit”, e gjejmë në shërbim të “Caritas-it”, në Romë! ...
Proçesi i At Rrokut ka një rëndësi të madhe, mbasi aty asht folë nëpër gojën e At Rrok Gurashit, krejt projekti i veprimeve të ardhshme të shtetit komunist, si gjithmonë, me dorën e Sigurimit të
Shtetit. Aty, gjen emnat e të gjithë klerikëve që janë pushkatue mbas 1956, flitet për karakterin e këtyne klerikëve si dhe, për mardhaniet e At Rrokut me ta. Gjyqi i tij u zhvillue me dyer të mbylluna, mbasi kështu veprohej me “agjentët” e Sigurimit, gjoja me ruejtë “sekretet” dhe At Rroku u dënue 25 vjet burg, ku, edhe vdiq. Në bazë të thanieve të At Rrokut, asht dënue edhe Don Mikel Koliqi. Mbas tij në 1958, Don Ejëll Kovaçi. Don Ejëlli asht viktima ma e dhimbshme, mbasi ngarkohët me akuza aq të shumta, sa nga të gjitha shpifjet “ka mbetë diçka”, sa me errësue pafajsinë e vërtetë të tij.

TAB
Torturat çnjerëzore të etërve të kishës katolike
-Publicisti i njohtun Don Lazër Shantoja para pushkatimit u masakrua duke i prerë kambët me sharrë druvari Imzot Gjini, Volaj, Bonatti, V. Prennushi, Nikoll Deda dhe Ernesto Çoba u masakruan dhe u futën copa-copa në thes
-Etërit Mati Prennushi, Çiprian Nika, Donat Kurti, Pal Dodaj, Frano Kiri, Aleks Baqli, u varën në pemë dhe u lanë ashtu për ditë të tëra
-Hafizët: Ali Tari, Dërguti, Najpi, Mufti, u torturuna me folë kundër klerit katolik.
-Sirdani e Çuni u kalbën në gropat e zeza të hetuesisë së Koplikut
-Ndër kalldramet e shtëpive shkodrane të kthyeme në hetuesi vlonte gjaku i Kolec Dedës, Simon Darragjatit, Muzafer Pipës, Paulin Palit, Qemal Draçinit, Kol Prelës, Ndue Palit e Caf Metës, Pal Thanit e Loro Vatës,
-Gjok Dodës e Zef Jakoviqit, Kol Kurtit e Ahmet Koplikut e sa të tjerëve të mbetun në tortura e të tretun si coftina në Zallin e Kirit.
-Studentët Bardhosh Dani, Mark Cacaj e Brahim Dërguti lanë jetën nga plumbat nën shelgjet e bregut të Bunës

SOMARIO
Nuk harrohet studentja burrneshë Drita, motra e Ibrahim Sokolit, tue ua përplasë në surrat spijunve Çiril Pistoli me shokë: “Turp për ju, se, as në mesjetë nuk janë pështy të burgosunit rrugëve si tashti!...”.
Ky lajm është publikuar: 16/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›