Pushkatohen ‘ballkanasit e Gaddafit’
Luftëtari libian, Abdelaziz Madini, i tha gazetarit të gazetës kroate ‘Vecernji List’ se mercenarët janë vrarë pasi që për një kohë të gjatë mbanin nën kontroll ndërtesën e sigurimit libian, në qendër të Misratës. Sipas tij, mercenarët që u vranë gjatë luftimeve u likuiduan pas gjykimit, që ishte zhvilluar me procedurë të shkurtuar.
"Ata nuk ishin ushtarë, por xhelat që vrisnin për para”, tha Abdelaziz, duke sqaruar se në mesin e mercenarëve të vrarë kishte edhe nga ata që kishin ardhur nga BeH, Ukraina, Rusia dhe Kolumbia.
"Gjithsejtë ishin 85, dhe të gjithë ishin të armatosur deri në dhëmbë. Ishin këta vrasës gjakftohtë, shkaku i të cilëve ne pësuam shumë humbje derisa po e çlironim ndërtesën”, theksoi ai.
"Sipas informacioneve me të cilat disponojmë, në mesin e mercenarëve të vrarë ishin 9 kroatë, 12 serbë 11 ukrainas dhe 10 kolumbianë. Të tjerët, me sa duket, ende nuk janë identifikuar”, i tha Abdelaziz reporterit të ‘Vecernji List’.
Abdelaziz përmendi edhe faktin se mercenarët që u kapën në Tripoli dhe në qytetet tjera libiane janë transferuar në burgun e Benghazit, dhe ata janë në pritje të gjykimit, megjithëse përgjatë gjithë Libisë ende ka shumë mercenarë të tjerë të huaj, në veçanti në Siirt dhe në Bani Walid.
"Pra, ende ka shumë mercenarë të lirë. Ata tani kanë ikur, dhe po fshihen në Siirt, Bani Walid dhe në Sabha”, u shpreh Madini, i cili shton se sulmet e forcave të Gaddafit ishin të ashpër, ngase qytetet kryesisht i sulmonin me minahedhës, bazuka dhe me projektilë me rreze të gjatë veprimi.
“Ata fillimisht erdhën gati deri në qendër të qytetit. Intervenimi i NATO’s ndodhi në momentin e fundit. Po të mos ndodhte qyteti sigurisht që do të ishte në duart e tyre, dhe këtu do të ndodhte një gjenocid i vërtetë. “Mercenarët e Gaddafit kishin vrarë të gjithë njerëzit në paralagje dhe në vendet në të cilat kishin hyrë. Ata vrisnin gjithçka që lëvizte. Edhe enë Misrata ndodhi njëjta gjë, u vranë gra, fëmijë dhe pleq të pafajshëm. Vetëm pasi që NATO ua shkatërroi armatimin e rëndë, ne mundëm të niseshim në kundërofensivë dhe t’i dëbojmë nga qytetit”, i tregoi kryengritësi libianë gazetarit të gazetës kroate.
Ndërkohë, portali serb B92, njoftoi të martën se kryengritësit libianë kanë pushkatuar 12 shtetas serbë, të dyshuar si mercenarë të Gaddafit. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic, deklaroi se MUP’i serb nuk ka njohuri për praninë e shtetasve serbë në Libi.