E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinjale pozitive nga Tanzania

Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 20:31

Në kuadër të turneut lobues për përfitimin e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, ka vizituar shtetin e Tanzanisë.

Në qytetin e Dar es Salaam, zëvendëskryeministri Pacolli është pritur me nderimet më të larta shtetërore dhe është takuar me presidentin e Tanzanisë Jakaya Kikwete dhe ministrin e punëve të jashtme të këtij shteti Bernard Membe.

Gjatë këtij takimi është diskutuar gjatë për rrethanat aktuale politike në Kosovë dhe për mundësinë e njohjes së shpejtë të Republikës së Kosovës nga Tanzania.

“Sinjalet janë pozitive edhe nga Tanzania. Ata e kanë akceptuar drejt argumentimin tonë për kërkesën e njohjes së Republikës së Kosovës”, ka thënë zv/kryeministri Pacolli.

Zëvendëskryeministri Pacolli po ashtu, gjatë këtij turneu lobues në vendet e Afrikës Jugore, ka diskutuar edhe për mundësinë e njohjes në bllok të Republikës së Kosovës nga SADC(komuniteti zhvillimor i vendeve të Afrikës Jugore), në të cilën bëjnë pjesë 14 shtete.

Nga kjo organizatë, Kosovën e kanë njohur vetëm shteti i Malawit dhe Swaziland, ndërsa pas vizitave të zëvendëskryeministrit Pacolli, priten shumë shpejt lajme të mira edhe në këtë drejtim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›