E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPDAT: T’u hiqet imuniteti zyrtarëve



Zyrtarëve t’u hiqet imuniteti dhe të jenë të barabartë përballë hetimeve njësoj si qytetarët e thjeshtë. Kjo është një kërkesë që shtrohet dhe përsëritet shpesh nga OPDAT, por deri tani nuk ka pasur ndonjë rezultat. Cynthia Eldridge ishte një nga prezantueset e objektivave të MCC, por për komponentin VI të programit, aty ku flitet për ndihmën në fushën e luftës kundër korrupsionit. Ajo është këshilltare ligjore rezidente në zyrën e OPDAT, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Pasi paraqiti risitë e fazës së dytë të këtij projekti, si dhe ngritjen e njësive Task-Forcë në qytete të tjera të vendit, si në Vlorë, Fier, Gjirokastër, Korçë, Durrës dhe Shkodër, përfaqësuesja e OPDAT në Shqipëri theksoi se “njësia Task-Forcë ka arritur mjaft rezultate në luftën kundër korrupsionit, pavarësisht vendimeve të gjykatave. Provat e paraqitura kanë qenë të plota, të mirëhetuara, ndërkohë që nuk më takon mua të shprehem lidhur me vendimet e dhëna në gjykata”. Më tej, këshilltarja e OPDAT, Eldridge, u shpreh se në ndihmë të prokurorëve apo pjesës përbërëse të këtyre njësive do të vijnë shumë shpejt dy prokurorë amerikanë, njëri për përgatitjen e manualit që duhet përdorur për hetimin e këtyre çështjeve të krimit financiar, ndërsa tjetri për trajnimin e prokurorëve apo dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore apo administratës tatimore, që do hetojnë këto çështje. Gjithashtu, pritet që edhe institucioni i ILDKP-së të firmosë një memorandum bashkëpunimi me Prokurorinë për të ndihmuar në zbardhjen e hetimeve për çështjet e korrupsionit dhe krimit financiar. “Kam informacion se njësia Task-Forcë ka pasur dhe ka të paktën 300 çështje që nga krijimi 2 vjet më parë dhe ka çuar për gjykim shumë zyrtarë të lartë, deri në nivel zëvendësministri, ndërkohë që zyrtarë të niveleve të larta i ka nën hetim”, - u shpreh Eldridge, e cila në fund lëshoi një apel për gazetarët: “Gjykatat janë të hapura për publikun. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë kur nuk lejoheni për të qenë pjesëmarrës në gjyqe. Edhe mua më ka ndodhur që roja në gjykata të mos më lejojë në gjyqe, derisa ia kam argumentuar për disa orë se duhet të jem e pranishme. Madje, ka pasur gjyqtarë që nuk kanë qenë aspak në qejf kur unë kam marrë pjesë në një gjyq të drejtuar prej tyre”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›