E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomatët e BE-së, testim me gojë për krerët e drejtësisë



Aspirimi për anëtarësim në BE i vendit tonë ka detyruar Ambasadën e Çekisë në Shqipëri, vendi i së cilës mban Presidencën e radhës në BE, që të organizojë një takim me krerët e sistemit të drejtësisë, në një seancë pyetje-përgjigje lidhur me reformat e ndërmarra në drejtësi, bashkëpunimin mes tyre dhe të tjera çështje të rëndësishme që lidheshim me këtë sistem. Dukej si një provim, testim me gojë para vendeve anëtare të BE-së. Përballë diplomatëve të 27 vendeve anëtare të BE-së kanë qenë Ina Rama, Prokurore e Përgjithshme, Kreshnik Spahiu, nënkryetar i KLD-së dhe Viktor Gumi, zëvendësministër i Drejtësisë. Takimi është bërë me dyer të mbyllura, pa praninë e medias, ndërkohë që në përfundim të tij, lidhur me temën e diskutimeve ka folur nënkryetari i KLD-së. Spahiu u shpreh pas takimit, se 27 përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri treguan interes të madh për ecurinë e reformave në drejtësi, projektligjet e miratuara dhe të debatuara së fundmi, si dhe imuniteti i gjyqtarëve, prokurorëve apo edhe korrupsioni në vend. “Ishte një seancë e gjatë, ku për afro dy orë na u desh të ballafaqohemi me pyetje të ndryshme të diplomatëve të BE-së, të cilit ishin shumë të interesuar me problemet që lidhen me procesin legjislativ, me projektligjet e fundit të kaluara dhe të debatuara në Parlament, me çështjet që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, çështjet që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë, si edhe problemet e korrupsionit të të gjithë sistemit, por në veçanti atë të sistemit të drejtësisë”. Gjithashtu, në këtë seancë dëgjimore të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian u diskutua edhe për marrëdhëniet e institucioneve të drejtësisë në vendin tonë, sa frymë bashkëpunuese ka mes tyre. Por, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, nuk preferoi të jepte më tepër detaje për këtë takim, duke shtuar vetëm se “na u desh të ballafaqoheshim me pyetje të ndryshme të diplomatëve. Diplomatët jo vetëm që ishin familjarë, por ishin shumë të interesuar për çështjet”. Megjithatë, nga burime jozyrtare mësohet që brenda këtij takimi të jetë folur edhe për ligjin e lustracionit, për të cilin përfaqësuesit e drejtësisë në vend janë shprehur se është një ligj që e kanë përgatitur vetë. Duke qenë një takim faktmbledhës, për llogari të progres-raportit, asnjëri prej institucioneve nuk raportoi zyrtarisht mbi faktet që u hodhën aty dhe detaje të bisedimeve. Por, ajo që u tha pas këtij takimi, ndonëse jozyrtarisht nga tre përfaqësues të institucionit të drejtësisë në vend, ishte kërkesa e përbashkët që bënë, për t’u anëtarësuar sa më parë Shqipëria në BE, madje, para zgjedhjeve të 28 qershorit.

Somario

“Na u desh të ballafaqohemi me pyetje të ndryshme të diplomatëve. Diplomatët jo vetëm që ishin familjarë, por ishin shumë të interesuar për çështjet”, - deklaroi Spahiu

Diplomatët ishin shumë të interesuar për problemet që lidhen me procesin legjislativ, me projektligjet e fundit të kaluara dhe të debatuara në Parlament, me çështjet që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, çështjet që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë, si edhe problemet e korrupsionit të të gjithë sistemit, por në veçanti atë të sistemit të drejtësisë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›