E Diel, 1 Nëntor 2026

Richard Wolfe: Parlamenti duhet të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative



Parlamenti shqiptar duhet të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative. Ky ligj, sipas mendimit tonë, duhet të mos zvarritet, por të kalojë para zgjedhjeve në Parlament dhe mediat duhet të ushtrojnë presion për t’u arritur kjo gjë. Është një ligj i mirë dhe do jetë shumë efikas për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme midis biznesit dhe institucioneve të ndryshme. Këto deklarime janë bërë dje nga Richard Wolfe, drejtori i projektit “Programi Prag i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II”, gjatë një prezantimi që u bëri mediave të pranishme për projektin që drejton. Sipas Wofle, kjo gjykatë do japë rendiment falë ngritjes së një administrate të pavarur, si dhe përzgjedhjes së një stafi gjyqtarësh me integritet, të cilët do të trajnohen falë projektit që ai drejton. Sipas tij, faza e dytë e këtij programi është një marrëveshje 2-vjeçare me vlerë 15.7 milionë USD ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit dhe e administruar nga USAID. “Shqipëria ka pasur disa arritje gjatë fazës së parë të programit, ndaj dhe është bërë pjesë e këtij programi”, - u shpreh Bruce Kay, këshilltar i MCC pranë USAID-it. Sipas tij, përmbushja e objektivave për krijimin e Gjykatës Administrative dhe për përmirësime në fushën e administratës tatimore, licencimit të biznesit, planifikimit të territorit dhe përfshirjes së publikut në këto reforma, solli edhe përfshirjen e Shqipërisë në fazën e dytë të projektit. Sipas drejtorit Wolfe, programi do të punojë për të rritur kapacitetin gjyqësor në Gjykatën Administrative, për të reduktuar hapësirat për korrupsion dhe për të krijuar besim tek investitorët përmes ndihmës për ngritjen e sistemit të kësaj gjykate. “Nismat kryesore përfshijnë dhënien e asistencës teknike, trajnime, sisteme të teknologjisë së informacionit dhe pajisjet e nevojshme për të ngritur Gjykatën Administrative në Tiranë. Ndërkohë, pyetjes se si do reduktohet korrupsioni në këtë gjykatë të re, ende të pakrijuar, drejtori teknik, Wolfe, theksoi se “i takon KLD-së të jetë e kujdesshme në përzgjedhjen e gjyqtarëve që do përbëjnë Gjykatën Administrative”. Sapo ligji të kalojë në Parlament, programi parashikohet të punojë për hartimin e akteve nënligjore dhe rregulloret udhëzuese mbi këtë kuadër të ri ligjor për gjykatësit, avokatët e shtetit dhe ata privatë, si dhe zyrtarët publikë. Do të trajnohen gjatë këtij programi 500 gjykatës, avokatë të shtetit dhe avokatë privatë, si dhe zyrtarë publikë mbi proceset në Gjykatën Administrative. Gjithashtu, do krijohen mekanizmat për monitorimin e veprimtarisë së gjykatës nga publiku.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›