E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Minxolli: Mediu urdhëroi ndërtimin e fabrikës

“Objekti u hap me urdhrin nr. 550 të ish-ministrit të Mbrojtjes”

Urdhri për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit u dha nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kështu deklaroi ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec, Dritan Minxolli. Sipas tij, fabrika është hapur me urdhrin nr. 550, të ish-ministrit të Mbrojtjes, për ndërtimin e saj në repartin ushtarak, Gërdec. Këtë deklaratë, Minxolli e bëri dje, në seancën e radhës. Kjo deklaratë mund ta rëndojë edhe më shumë pozitën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të cilit i është ndërprerë gjykimi për shkak të imunitetit. Ndërkohë, dy padi civile janë depozituar në Gjykatën e Lartë në drejtim të tij, nga Rigers Durdaj dhe Alketa Hazizaj. Minxolli i kërkoi prokurorisë dhe trupit gjykues që të saktësojnë qartë vendin ku ka ndodhur shpërthimi. Shpërthimi nuk ka ndodhur as në Gërdec as në Marqinet, por në repartin ushtarak në Gërdec, deklaroi Minxolli. Kjo gjë duhet të saktësohet dhe nuk duhet të abuzohet me këtë detaj, u shpreh ai. Ndërkaq, në këtë seancë dëshmuan dhe dëshmitarët që ishin thirrur nga prokuroria. Fatime Feza, 52 vjeçe, lindur dhe banuese në Marqinet 2, pohoi se kishte filluar punë një muaj para se të ndodhte shpërthimi dhe punonte në pastrimin e predhave. “Nuk kam bërë kontratë”, tha ajo, ndërkohë që në momentin e shpërthimit deklaroi se kishte qenë në punë. “Në fabrikë nuk kam parë fëmijë dhe shtetas të huaj për aq kohë sa kam punuar. Në fillim, zjarrin nuk e vura re, vetëm kur e ndjeva afër. Më pas u futa në një tunel dhe aty kam qëndruar gjithë natën deri sa zbardhi”, u shpreh Feza. Dëshmitari tjetër ishte Arian Gërdeci. Ai deklaroi se kishte punuar në ngarkimin dhe shkarkimin e makinave me municion. “Kam filluar punë në qershor të vitit 2007 dhe nuk kam firmosur ndonjë rregullore pune. “Në fabrikë kishte specialistë që kontrollonin municionet dhe numëronin arkat që vinin. Paga ime varionte nga 70 mijë deri në 100 mijë lekë të reja”, deklaroi ai. Ai tha se ditën e ngjarjes kishte qenë në punë për të shkarkuar tre makina dhe ishte larguar para se të ndodhte shpërthimi. Dëshmitari tjetër ishte 27-vjeçari Lirim Palushi. Aai deklaroi se ishte punësuar nga Dritan Minxolli në janar 2008. “Punoja në ngarkim-shkarkim municionesh dhe ditën e ngjarjes kam qenë duke transportuar arka me municione”, u shpreh 27-vjeçari, duke shtuar se fabrika ruhej nga roje të policisë private. Dëshmitari i radhës dhe i fundit për seancën e djeshme ishte Bari Poçi, 49 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Kamzë. Poçi tha se kishte punuar në fabrikë bashkë bashkëshorten, djalin dhe me nipin e tij. “Ne punonim në hapjen e predhave dhe në punën tonë kishim një normë të caktuar për grup. Instruktazhin për punën na e bënte Besim çanka, i cili ishte dhe i specializuar për këtë punë”, deklaroi Poçi. Më tej ai shtoi se në momentin e ngjarjes ka qenë pranë portës kryesore, duke punuar me djalin. “Kur filloi flaka, isha me kurriz, por djali që e kishte përballë më tha se mori flakë fabrika. Nga ai moment unë shkova të merrja gruan time, të cilën e gjeta në flakë dhe pastaj bashkë me disa gra të tjera që punonin në fabrikë u futëm në një tunel deri të nesërmen”, përfundoi dëshminë. Në këtë seancë munguan dhe dëshmitarët Thëllëza Gjoka si dhe Andi Belliu. Ky i fundit pritet të jetë një nga dëshmitarët kyç në këtë proces, por prej tri seancash edhe pse janë shtyrë, ai nuk është paraqitur. Seanca e radhës pritet të zhvillohet në orën 09:30 të ditës së premte.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›