Pushtetarët dhe familjet e tyre kanë marrë tokat në bregdet
PRONARËT
Vorpsi: Shkrirja e AKKP-së është e gabuar por bëhet për të hequr vëmendjen nga skandali i tokave në bregdet.
Ky është një legalizim që i bëhet pushtimit të dy mijë hektarëve tokë nga qeveritarët dhe pushtetarët
Anëtari i kryesisë së Shoqatës "Pronësi me Drejtësi" Myrshit Vorpsi komenton në një intervistë për "Shekullin" zhvillimet më të fundit në lidhje me pronat.
Sipas tij, ndryshimi që qeveria i bëri ligjit "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave" është bërë me qëllim për të tërhequr vëmendjen nga një skandal tjetër që ka përfshirë qeverinë. Atë të publikimit të emrave të personave që përfitojnë nga ligji që i jep te drejtë pronarëve të vilave në zonat turistike të blejnë edhe truallin ku një pjesë e mirë e tyre ishin qeveritarë ose të afërm të tyre.
Z.Vorpsi, qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave" duke i dhënë afat AKKP-së që të shqyrtojë dhe të marrë një vendim për ankesat e pronarëve deri në fund të vitit 2011, ndërsa më pas do të fillojë shkrirja e këtij institucioni.
Cili është mendimi juaj për këtë vendim?
Ajo që ka thënë kryeministri ka qenë një tentative për të shpërqendruar vëmendjen nga ajo që mund ta themi me plot gojë ishte një skandal i qeverisë siç është ligji për privatizimin e trojeve në zonat turistike.
Pra për të mbuluar atë efekt negativ që pati publikimi i përfituesve nga ky projektligj, ku ishin një serë ministrash, zëvendës ministrash dhe familjarë të tyre, duhej të krijohej një shpërqendrim i vëmendjes. Ndoshta ky ka qenë momenti më i mirë për ta bërë. Ka ardhur koha që të rishikohet gjithë kjo që quhet reformë e pronësisë.
Pasi ajo që ka 18 vite që zbatohet, e cila është mbështetur në kompensimin e pronarëve rezulton e dështuar për shkak se kostoja financiare që ka prodhuar është e papërballueshme për shtetin shqiptar.
Sipas të dhënave që ka prodhuar AKKP-ja, deri në vitin 2005 rezulton se sipërfaqja e truallit që duhej të kompensohej është rreth 80 milionë m² tokë truall e cila përllogaritet të kapë vlerën e 4.2 miliardë dollarëve.
Ju duket i arritshëm afati sipas të cilit deri në fund të vitit 2011 brenda të cilit AKKP-ja duhet të marrë një vendim për çdo ankesë të bërë nga pronarët?
Kryeministri kishte deklaruar në media se ky proces do të jetë i mbyllur deri në qershor të 2010. Nuk kemi parë ende një draft për të thënë se çfarë realisht do të bëhet. Problematika e pronave është e ngarkuar.
Në këtë situatë, të deklarosh që AKKP-ja do të mbyllet, në radhë të parë do të thotë që punonjësit e agjencisë të demoralizohen. Nga ana tjetër, teknikisht është e pamundur të bëhet ajo që thotë kryeministri.
Nëse mendojmë që kompensimi si proces do të vazhdojë deri në vitin 2014, do të thotë që diku nga mesi i këtij viti nëse dikujt do t'i vijë rasti për t'u kompensuar do t'i duhet që në radhë të parë të marrë një vërtetim me shkrim për gjendjen e pronës nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nëse në këtë zyrë ajo pronë rezulton e lirë dhe mund t'i kthehet, sipas kësaj logjike i bie që ai të mos ketë mundësi ta marrë atë, ç'ka nuk ka kuptim.
Meqë jemi tek kompensimi. Disa ditë më parë u miratua një listë më mbi 500 emra pronarësh të cilët do të përfitojnë nga kompensimi financiar, është ky një tregues që ky si proces është duke ecur normalisht?
Sipas metodikës, që të marrësh kompensimin financiar në radhë të parë duhet që të kesh një hartë të vendndodhjes së kësaj prone. Mbi 90 % e vendimmarrjes për pronën bujqësore është marrë pa përcaktuar kush është toka, çka do të thotë që ato do të kthehen të gjitha mbrapsht. Kjo anë teknike dihet fare mirë nga qeveria dhe kryeministri.
Nisur nga sa thatë, për sa i përket punës së AKKP-së, ju sugjeroni shtyrje të afatit të funksionimit të saj për të bërë të mundur përfundimin e procesit të kthimit dhe të kompensimit të pronave?
Normalisht, pasi e drejta e pronës nuk mund të kufizohet në kohë. Kjo është e palogjikshme.
Të kërkosh afat kohor në kthimin dhe kompensimin e pronës është e pamundur. Ne dimë fare mirë që kërkimi i të drejtës së pronës nuk mund të ketë kufizime kohore. Se cila strukturë do të jetë që do të kryeje atë, është problem tjetër por deri më sot ka qënë AKKP-ja .
N.q.s kjo mbyllet, për pronarët kjo do të thotë që ju s'keni më të drejtë që të kërkoni pronën. Është shumë e rëndë që me gojën e një kryeministri pronarëve t'u thuhet që ju s'keni të drejtë të kërkoni pronën tuaj.
Është dhënë një shifër zyrtare për sa i përket numrit të ankesave që AKKP-ja duhet të shqyrtojë gjatë kësaj periudhe deri në fund të vitit 2011, rreth tetë mijë, korrespondon kjo me të dhënat tuaja?
Në qoftë se janë tetë mijë dosje të reja që janë të hapur pranë Komisionit të Kthimit të Pronave, për hir të procedurave që ka ky ligj ku dokumentacioni duhet të përgatiten nga pronarët, këta të fundit sot janë nëpër dyert e gjykatave.
Pra janë me dhjetëra ose me mijëra pronarë të tjerë të cilët janë në gjykata pa mundur të hapin një dosje pranë AKKP-së. Kësaj kategorie kryeministri i ka vënë kryqin.
Nëse ti, do të gjesh një dokument që vërteton pronësinë, s'ke mundësi të shkosh ta kërkosh pasi të thonë që ka kaluar afati. Kjo tentative mund të konsiderohet dhe si një kërkesë e qeverisë për të mbyllur llogaritë me pronarët shqiptarë.
Pasi, nëse këto llogari do të mbeten të hapura, atëherë çdo qeveri në pushtet nuk do të gjejë mundësinë të falë toka të pronarëve për nevoja elektorale. Karta e legalizimeve është përdorur në zgjedhjet e 2005-ës dhe në zgjedhjet që sapo kaluam ku kryeministri doli dhe tha ato që do të legalizohen do të paguajnë gjysmën me lekë dhe tjetrën me letra me vlerë.
Komisioni i Ligjeve është duke shqyrtuar projektligjin që i jep të drejtën pronarëve të ndërtimeve në fshatrat turistike të blejnë edhe truallin. Sipas tij kemi të bëjmë me tokë shtetërore, ndërsa ju keni deklaruar të kundërtën, pra që ajo është pronë e pronarëve.
Ku e mbështesni qëndrimin tuaj?
Pronësia shtetërore për tokën bujqësore deri në vitin 1945 ka qenë vetëm 50 mijë hektarë tokë, ndërsa pjesa tjetër ka qenë në pronësi individuale dhe të komuniteteve fetare. Shteti në mënyrë virtuale ka shfrytëzuar kushtetutën e vitit 1976, e cila të gjithë tokën e shpalli pronë shtetërore.
Pas viteve 90-të, megjithëse kishte pasur vetëm 50 mijë hektarë, shteti rezulton pronar i 700 mijë ha tokë. Kjo është baza mbi të cilën ai e quan veten pronar të kësaj sipërfaqe toke.
Sipas ligjit për turizmin, janë ngritur 32 fshatra turistike dhe sot funksionojnë vetëm 2 të tillë, ndërsa të tjerët janë shfrytëzuar për të ndërtuar vila. Sot ndërmerret një nismë që trualli i këtyre vilave t'u shitet personave që i kanë blerë ato.
Ky është një legalizim që i bëhet pushtimit të tokave nga qeveritarët dhe pushtetarët e djeshëm dhe të sotshëm bashkë. Faktin që pronat nuk janë të shtetit por të pronarëve e vërteton edhe shfuqizimi i pikës 1/ç të nenit 3 të ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronarëve", në të cilën theksohet se nëse ndryshon destinacioni i tokës së dhënë për zhvillimin e turizmit ndryshon ajo duhet t'i kthehet pronarëve.
Kemi një sipërfaqe toke rreth 1500-2000 ha tokë, e cila nuk i ofrohet pronarëve por blerësve të vilave. Krahas kësaj, problemi qëndron edhe tek lista e personave që përfitojnë nga ky projektligj, ku një pjesë e mirë janë qeveritarë, çka tregon se kemi të bëjme me një konflikt interesi të qeverisë, ku pasi nxorën një ligj për legalizimin e ndërtuesve pa leje në të gjithë vendin, bënë edhe një ligj për veten e tyre.
Çefa: Shqyrtimi i ankesave, deri në fund të 2011-ës
TIRANË- Kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, deklaron se në bazë të ndryshimeve që qeveria bëri në ligjin "Për kthimin dhe Kompensimin e Pronave", institucioni i drejtuar nga ai ka afat deri në fund të vitit 2011 për shqyrtimin e të gjitha ankesave të pronarëvë duke dhënë edhe në vendim.
I kontaktuar menjëherë pas publikimit të ndryshimeve të qeverisë, Çefa theksoi se misioni i AKKP-së është trajtimi i drejtë i kërkesave për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave.
"Për sa i përket njohjes së pronave, agjencia e mbaron misionin dhe fillon reduktimi i strukturave. Por puna do të vazhdojë për pjesën tjetër, dmth ekzekutimin e vendimeve të marra deri në 31 dhjetor 2011.
Ato subjekte që kanë një vendim për kompensim apo kthim të pronës do të vazhdojnë të aplikojnë për ekzekutimin e tij qoftë për kompensim apo kthim fizik gjithnjë aty ku është e mundur apo sa është e mundur", - tha.
Firma koncesionare për shtatë vjet me radhë nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet që i janë vendosur nga shtetit
Prifti i heq koncesionin "minierës së vdekjes"
TIRANË- Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës i heq licencën e shfrytëzimit të një sektori të minierave të Bulqizës kompanisë ACR me arsyetimin se nuk ka zbatuar kushtet e vendosura në kontratë. Vendimi u bë publik dje gjatë një takimi që ministri Dritan Prifti pati me sindikalistë të qarkut të Dibrës të cilën i shprehen atij problematikat e këtij sektori.
"Kanë filluar procedurat për heqjen e koncensioneve të shoqerisë ACR duke patur parasysh që asnjë nga kriteret e kontratës koncensionare për rreth 7 vite nuk është plotësuar. E vlerësoj të dështuar këtë koncension dhe ju premtoj se këto gjera nuk do të ndodhin më", - tha ai.
Sipas Sindikalistëve, ndryshimet e herëpashershme të kontratave koncensionare kanë dhënë vetëm rezultate negative. "Problemet e trashëguara nga këto koncensione vazhdojnë edhe sot e kësaj dite duke krijuar vështirësi të mëdha financiare pasi janë akoma debitorë ndaj subjekteve private e shtetërore që operojnë në qarkun e Dibrës", - deklaruan ata.
Gjithashtu, ata denoncuan edhe shumë raste korruptive në lidhje më këto kontrata nënkoncesionare dhe i kërkuan ministrit vënien në punë të Uzinës sa më parë.
Uzina e Ferro-Kromit Burrel dhe Miniera e Bulqizës janë punëdhënës shumë të rëndësishëm në qarkun e Dibrës, me rreth 1000 vetë të punësuar.