E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet vendimi, Gjykata Kushtetuese rrëzon ALUIZNI-n

 

Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese shpalli dje vendimin e saj, i cili rrëzon ligjin për Legalizimet. Gjykata me 5 vota pro dhe 4 kundër i dha të drejtë pjesërisht kërkesës së socialistëve, duke rrëzuar ato  kompetenca të ALUIZNI-t, i cili gjatë procesit të Legalizimeve ia kishte marrë pushtetit vendor. Relatori i çështjes, Sokol Sadushi në argumentimin e tij kushtetues, shprehet se në ligjin e ri “Për Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, pushteti qendror i përfaqësuar nga një agjenci të varësi të tij, ALUIZNI janë cenuar kompetencat e pushtetit vendor. Sipas tij, ndryshimet që i janë bërë disa prej neneve të këtij ligji, dhe përkatësisht, nenet 3 pika 8, nenit 4 pika 1 shkronja a, c dhe pika 2 shkronja b, neni 5 pika 2, neni 6, 7, 8, 10, 14, pika 3, neni 16, pika 2, 5, neni 17, 20, pika 2 dhe neni 26 i ligjit për Legalizimet, u kanë hequr organeve të qeverisjes vendore kompetencat bazë që lidhen me procesin e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve pa leje. Sipas Gjykatës Kushtetuese, këto ndryshime ligjore që i janë bërë ligjit të mëparshëm e kanë zhveshur pushtetin vendor nga disa prej kompetencave të tyre, që në kuptim të Kushtetutës, të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore si dhe jurisprudencës kushtetuese, cenojnë parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore. Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji për Legalizimet i ka dhënë agjencisë shtetërore edhe kompetencat e mirëfillta që kishte më parë pushteti vendor, siç ishte dhënia e lejes së shfrytëzimit për ndërtimet. “Nëpërmjet nenit 17, ‘...leja e legalizimit është e barazvlefshme me lejen e shfrytëzimit..’, merret një tjetër funksion i rëndësishëm i organeve të qeverisjes vendore, që lidhet me planifikimin urban dhe i ka kaluar ALUIZNI-t”, thuhet në argumentimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke sjellë argumente se në cilat nene ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, cenon pavarësinë dhe funksionimin e pushtetit vendor, relatori i kësaj çështje shprehet se ALUIZNI në zbatim të këtij ligji nga institucion bashkërendues, është shndërruar në institucion përgjegjës, kompetencë që i takonte më parë pushtetit vendor. “Neni 3 pika 8 dhe neni 4 pika 1 e shndërrojnë ALUIZNI-n nga një agjenci që bashkërendonte punët me organet qendrore shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore”, shndërrohet në “Institucion përgjegjës” për realizimin e procesit të legalizimit, duke përjashtuar organet e qeverisjes vendore”, shprehet gjykata në argumentimin e saj. Gjykata argumenton se njësitë vendore vetëqeverisëse nuk mund të mënjanohen në ushtrimin e kompetencave nga organet e pushtetit qendror, pasi ato kanë fushën e tyre të veprimtarisë, të parashikuar nga Kushtetuta. Kompetencat me të cilat ligji pajis organet e qeverisjes vendore, duhet të jenë të tilla, që një pjesë e mirë e çështjeve publike të rregullohen sipas parimit të subsidiaritetit, që qëndron në thelb të konceptit të decentralizimit, sipas të cilit “ushtrimi i përgjegjësive publike duhet në mënyrë të përgjithshme t’i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve”. “Planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë kompetenca të plota dhe ekskluzive të autoriteteve vendore dhe përfshihen në konceptin ligjor “funksionet e veta”, sipas të cilit nëpërmjet lirisë dhe autoritetit për të marrë vendime ato janë përgjegjëse për realizimin e tyre”, thuhet në argumentimin kushtetues të gjykatës.

Pikat kryesore të vendimit

Nëpërmjet nenit 17, “...leja e legalizimit është e barazvlefshme me lejen e shfrytëzimit...”, merret një tjetër funksion i rëndësishëm i organeve të qeverisjes vendore, që lidhet me planifikimin urban dhe i ka kaluar ALUIZNI-t

Cenohet rregullimi kushtetues të parashikuar në nenin 113, pika 1, shkronja c, sipas të cilit pushteti vendor ka të drejtë të mbledhë dhe të shpenzojë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre.

Është shmangur rregullimi i parashikuar në nenin 32 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, sipas të cilit është këshilli komunal ose bashkiak që “miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”, duke ia dhënë këtë kompetencë ALUIZNI-t.

“Planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë kompetenca të plota dhe ekskluzive të autoriteteve vendore dhe përfshihen në konceptin ligjor “funksionet e veta”, sipas të cilit nëpërmjet lirisë dhe autoritetit për të marrë vendime ato janë përgjegjëse për realizimin e tyre.

Ndryshimet ligjore kanë minimizuar rolin e organeve të qeverisjes vendore, duke fuqizuar rolin dhe kompetencat e ALUIZNI-t në atë masë sa në shumë drejtime kanë zhvendosur organet e qeverisjes vendore nga ushtrimi i kompetencave të veta

Neni 3 pika 8 dhe neni 4 pika 1 e shndërrojnë ALUIZNI-n nga një agjenci që bashkërendonte punët me organet qendrore shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore”, shndërrohet në “Institucion përgjegjës” për realizimin e procesit të legalizimit, duke përjashtuar organet e qeverisjes vendore

Ligji i ri ia ka kaluar ALUIZNI-t kompetencat e arkëtimit të të ardhurave nga procesi i legalizimit, kompetenca që i kishte më parë pushteti vendor dhe do t’i përdorte për infrastrukturën e këtyre zonave

ALUIZNI legalizon shtesat e pallateve

Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese i ka lënë në fuqi ALUIZNI-t disa kompetenca jo pa rëndësi. Ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” nuk rrëzoi si antikushtetuese disa nene, të cilat socialistët në kërkesën e tyre i cilësonin në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit. Ligji i lë kompetencë agjencisë shtetërore legalizimin e shtesave në ndërtimet me leje. “Ky ligj i shtrin efektet edhe për legalizimin e objekteve, me leje ndërtimi nga KRRT-të apo KRRTRSH-ja, tek të cilat janë kryer shtesa anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, si dhe për legalizimin e shtesave, në objektet e ngritura përpara vitit 1993. Këtu përfshihet edhe legalizimi i objekteve të miratuara me vendim të KRRT-së së njësisë së qeverisjes vendore ose të KRRTRSH-së, të cilat kanë ndryshime në funksionin e hapësirave”, shprehet ligji në nenin 23 të tij. Gjykata në argumentimin e saj edhe pse sheh cenim të së drejtës për vetëqeverisje të pushtetit vendor, e sheh të lejueshëm në disa nene rolin e ALUIZNI-t, pasi sipas saj legalizimi i ndërtimeve pa leje hyn në ato çështje me rëndësi kombëtare e strategjike për interesat e vendit, të cilat duhet të ushtrohen nën autoritetin e pushtetit qendror. Gjykata nuk rrëzoi nenin 4 të ligjit, i cili i jep agjencisë të drejtën e dhënies së lejes së Legalizimit. “Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) është institucioni përgjegjës për: b) bashkëpunimin dhe njësimin e procedurave me organet qendrore shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për procesin e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave/vend-banimeve/bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara;
c) programimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit për legalizimin dhe urbanizimin e territoreve informale; d) dhënien e lejes së legalizimit, sipas nenit 28 të këtij ligji”, thuhet në ligjin e ri. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese nuk ka shfuqizuar edhe nene të tilla që detyrojnë pushtetin vendor t’i paraqesin ALUIZNI-t të gjithë argumentimin ligjor për ndërtimin pa leje. Neni 24 në pikën 2 përcakton “Për objektet e përcaktuara në nenin 36 të ligjit, zyra e urbanistikës së njësisë së qeverisjes vendore përcjell pranë ALUIZNI-t argumentimin tekniko-ligjor të kualifikimit, dokumentacionin e sipërpërmendur, si dhe çdo dokumentacion tjetër që ajo disponon për objektet, në përputhje me afatin e vendosur në nenin 10 shkronja “a” të këtij ligji”.
Por me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, ligji i ri detyron qeverisjen vendore të mos japë asnjë leje për shesh ndërtimi në territoret e përcaktuara si zona informale. Neni 28 i këtij ligji përcakton se “në territoret e përcaktuara si territore me ndërtime informale ndalohet dhënia e lejeve për shesh ndërtimi ose e lejeve të ndërtimit subjekteve private, deri në miratimin e studimit urbanistik për to”. Përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave në seancën gjyqësore të kësaj çështje kërkoi rrëzimin e kërkesës së socialistëve duke u shprehur se “ndryshimet ligjore nuk cenojnë parimet kushtetuese të decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore. Nxjerrja e ligjit paraqet rëndësi të veçantë me natyrën mbarëkombëtare, por me karakter të përkohshëm, në përgjigje të nevojave sociale të një numri të konsiderueshëm të popullsisë për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe urbanizimin e zonave informale, në respekt edhe të parimit të proporcionalitetit”, u shpreh përfaqësuesja e Kryeministrisë, Marsida Xhaferllari.

Shehaj: Legalizimet,çështje me rëndësi kombëtare
Ferdinand Shehaj, zv.drejtori i ALUIZNI-t në seancën gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese u shpreh se pretendimi i ngritur nga deputetët socialistë për cenim të parimit të decentralizimit dhe autonomisë vendore nuk qëndrojnë pasi kanë qenë pamundësia e organeve të pushtetit vendor për të ushtruar përgjegjësitë e tyre si dhe përmasat që mori informaliteti në ndërtim, që e shndërruan zgjidhjen e këtij problemi në një çështje me rëndësi kombëtare, duke nxjerrë jashtë kuadrit të komunitetit vendor përkatës. Gjithashtu sipas përfaqësuesit të ALUIZNI-t, ushtrimi i funksioneve që lidhen me planifikimin urban dhe menaxhimin e tokës nga njësitë e qeverisjes vendore del jashtë kuadrit të procesit të legalizimit të ndërtimeve informale, pasi këto ndërtime kanë sjellë në mënyrë të pashmangshme ndryshimin e regjimit të tokës dhe destinacionit të përdorimit të saj, duke tejkaluar kuptimin e kontrollit mbi territorin që ushtrohet nga njësitë e qeverisjes vendore. Duke mbështetur ligjin e ri të miratuar nga maxhoranca, përfaqësuesi i ALUIZNI-t u shpreh se dispozitat e ligjit të kundërshtuar kanë përmirësuar procedurat e urbanizimit të territoreve pas legalizimit, pasi vendimmarrjet që i përkasin planifikimit urban të territoreve me ndërtime të legalizuara, si “funksione të veta” të njësive të qeverisjes vendore, janë zhvendosur në përputhje me etapat e zbatimit të ligjit. “Ligji ‘Për Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore’, nuk parashikon kompetenca lidhur me kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale dhe nga ky këndvështrim, ALUIZNI nuk ka marrë kompetenca të organeve të qeverisjes vendore. Çdo vendimmarrje pas procesit të legalizimit, lidhur me planifikimin urban apo menaxhimin e tokës, që implikon territoret me ndërtime të legalizuara, nuk sheh si pjesëmarrës këtë strukturë shtetërore”, u shpreh përfaqësuesi i ALUIZNI-t në Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›