Torres thyen Çelsin me 10 lojtarë!
Liverpuli prish ëndrrën e Çelsit për t’u rikthyer tek titulli. Ashtu si në tetorin e shkuar në “Stemford Brixh” Liverpuli merr pikë të plota përballë “bluve” të Skolarit të cilët, në ndeshjen e djeshme kanë luajtur me një lojtarë më pak, në 30 minutëshin e fundit. Fatin e takimit e përcaktoi spanjolli Fernando Torres, i cili realizoi në limitin e ndeshjes dy gola spektakolarë. Ashtu si pritej, 90 minutëshi mes dy gjigantëve të Anglisë u shoqërua me emocione të papërsëritshme. Grinta, ritmi, rivaliteti i flakët, takat e forta, kartonët, dhe në fund golat ishin elementet që i dhanë sfidës së djeshme ngjyrimet e një ballafaqimi titanësh. Deri në minutën e 60 ndeshja ishte e balancuar me aksione të njëpasnjëshme në të dyja krahët, por kartoni i kuq i akorduar për Frenk Lampard, pas një ndërhyrjeje brutale ndaj Ksabi Alonsos, bëri që skenë e shfaqjes të lëvizë në gjysëmfushën mike. Liverpuli hidhet i gjithi në sulm, ndërsa Çelsi kthehet në mbrojtje për t’i bërë ballë “furisë së kuqe”. Kur po mendohej se gjithçka po mbyllej në një barazim të bardhë, Fernando Torres shfrytëzon mjeshtërisht një krosim të Fabio Aurelios dhe mposht portierin Piter Çeh. Çelsit i jepen në dispozicion edhe 5 minuta shtesë për të barazuar, por një kundërsulm i djemve të Benitezit gjen të papritur mbrojtjen dhe “El Ninjo” ndrydh shpresat e kundërshtarit për të marrë një pikë.