Fullani takon studentët që kryejnë praktikën pranë BSH-së
Banka e Shqipërisë është një institucion relativisht i ri, por ndoshta një nga më të suksesshmit në drejtim të arritjes së objektivave të saj ligjorë, të përfaqësimit në nivel ndërkombëtar, të bashkëpunimit me institucione të tjera brenda e jashtë vendit. Kyçi i këtij suksesi i dedikohet kryesisht burimeve njerëzore të saj, të cilat punojnë me filozofinë “profesionalizëm, përkushtim, bashkëpunim dhe integritet”. Në frymën e kësaj filozofie, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka zhvilluar një takim me studentët që kryejnë praktikën mësimore pranë Bankës së Shqipërisë, sot në datë 29 korrik 2008. Kryerja e praktikës mësimore në Bankën e Shqipërisë është kthyer tashmë në një traditë të rregullt, duke e shndërruar atë në një institucion të hapur për të gjithë studentët shqiptarë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit. Në këto 3 vitet e fundit, numri i përgjithshëm i studentëve praktikantë në Bankën e Shqipërisë ka arritur në 70, me një dyfishim krahasuar me vitet e mëparshme. Përveç adoptimit të politikave moderne të punësimit, kryerja e praktikës mësimore pranë Bankës së Shqipërisë është gjithashtu një mjet për të përthithur burime të reja njerëzore. Kjo traditë e Bankës së Shqipërisë njëkohësisht nxit studentët për studime dhe përmirësim profesional të mëtejshëm, duke i hapur rrugën e punësimit të tyre, si në Bankën e Shqipërisë ashtu edhe në sistemin bankar shqiptar. Praktika mësimore pranë Bankës së Shqipërisë është vetëm një ndër iniciativat që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë vitet e fundit për të afruar studentët sa më pranë saj. Leksionet e Guvernatorit në universitete brenda dhe jashtë vendit, Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë, konkursi midis shkollave të mesme “Vlera e vërtetë e parasë”, janë disa nga aktivitetet që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar vitet e fundit për të nxitur nxënësit dhe studentët për të njohur punën e Bankës së Shqipërisë më nga afër.