Pushteti i sovjetëve dhe katastrofa
Ardian Klosi
Nga Berlini
Më 1921 Willy Münzenberg, një komunist i ri gjerman, ngriti nga Berlini nëpërmjet Ndihmës Ndërkombëtare të Punëtorëve (rusisht me shkurtimet: Meshrabpom) një aksion shpëtimi për rusët e Vollgës që po vdisnin të shumtë nga uria. Qysh mbas luftës Myncenberg kishte përhapur në Gjermani filmat e parë rusë. Tani u njoh me themeluesin e shtëpisë së parë filmike në Rusi, Studios Rus, Moisej Alejnikov dhe së bashku krijuan një studio ruso-gjermane me emrin Meshrabpom-Rus. Në këtë shtëpi filmike që njihet edhe si Fabrika e Kuqe e Ëndrrave do të prodhoheshin filma që bënë histori dhe shkollë njëkohësisht, një përzierje e ideologjisë, besimit se arti mund ta ndryshojë njeriun, propagandës, zbavitjes për masat e gjëra dhe eksperimentimit në gjininë më të re të artit.
Gjithçka filloi me financim, pajisje, material filmik nga Gjermania.
Të gjitha veprat që i lejonte censura shpërndaheshin në Gjermani, por edhe më tej në shumë vende të botës, nga firma bijë Prometeus-Film. Kështu Myncenberg ngriti një rrjet të tërë ndërkombëtar, që bëri të famshëm filma si Koracata Potjemkin e Eizenshtajnit ose Fundi i Shën Peterburgut i Vsevolod Pudovkinit.
Janë ruajtur gjer më sot rreth 250 filma artistikë, dokumentarë dhe të animuar nga Fabrika e Kuqe e Ëndrrave. Prej tyre cikli Retrospektivë i Berlinales së sivjetshme shfaqi në 10 ditët e këtij festivali 43 produksione, pa zë ose me zë. Filmat e viteve memecë shpesh shoqërohen drejtpërdrejt në sallat e kinemave nga muzikantë të njohur ndërkombëtarë si pianisti e kompozitori holandez Maud Nelissen, pianisti e dirigjenti kanadez Gabriel Thibaudeau etj., ndërsa filmi Tetori i Eizenshtajnit u shoqërua më 10 shkurt nga Orkestra Filarmonike e Berlinit.
Këtë film Eizenshtajni e xhiroi me porosi të Komitetit Ekzekutiv të PK të BRSS me rastin e festimeve të 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Filmi e pati premierën më 14 mars 1928 në Teatrin Bolshoi, por menjëherë pas saj ra viktimë e kritikave të shumta, sidomos për formalizëm dhe shfaqje në të të figurave politike që ndërkohë ishin bërë pre e spastrimeve të Stalinit, i pari ndër ta Leo Trocki, dhe nuk u shfaq më.
Megjithatë kolegu dhe rivali i tij V. Pudovkin, jo vetëm regjisor i filmit Nëna, por, siç e përmendëm, i filmit tjetër jubilar për Revolucionin e Tetorit, tha kur pa Tetorin: Sa do të më pëlqente të kisha bërë dhe unë një dështim kaq të fuqishëm.
Ylli i Eizenshtajnit pas sulmeve ndaj këtij filmi duket se perëndon përkohësisht: detyrohet të botojë në shtyp autokritika, megjithatë më vonë do të ringrihet, do të marrë dhe çmime Stalin e do të realizojë filma si Aleksandër Nevskji ose Ivani i Tmerrshëm, kurse kolegë të tij si Boris Shumjatski do të kalonin deri në ekzekutim në vitet e spastrimeve të mëdha.
Ndërkohë në Europë kishin mbërritur disa versione të Tetorit (Dhjetë ditë që tronditën botën), kompozitori austriak Edmund Meisel, ai që pat kompozuar tre vjet më parë muzikën e filmit të bujshëm Koracata Potjemkin, krijoi edhe për këtë film të ri të Eizenshtajnit, apo më saktë për njërin nga versionet në qarkullim, kolonën muzikore.
Në Muzeun e Filmit në Mynih gjendej pikërisht ky version që tani u digjitalizua duke u plotësuar edhe me kopje të filmit që ndodheshin në arkiva filmikë të Amsterdamit dhe Berlinit. Megjithatë zbulimi i vërtetë nuk ishte dhe aq filmi, i njohur dhe po aq shkollë sa Koracata, sesa rikuperimi i plotë i kompozimit të Meiselit dhe shfaqja më 10 shkurt, ku muzika tingëlloi aq e ditës sa disa kritikë gjetën aty tingëllima të muzikës pank dhe tekno.
Eizenshtajni është mjeshtri dhe ithtari i montazhit si gjuhë më vete. Ishte i pari që e ktheu atë në art, mbështetur me shkrime të shumta teorike, në një kohë kur mungonte rrëfimi me fjalë si shoqërues, apo plotësues, apo qoftë dhe kontrapunkt i përkëmbimit të imazheve. Në përplasjen e planeve që mund të jenë krejt të ndryshme, në prerjet e forta, siç i quajnë kineastët gjermanë, kërkon metaforën dhe mesazhin. Bien kësisoj në sy një numër prerjesh te Tetori, bie fjala Krishti i ortodoksëve që krahasohet me Budën, me perëndi hindu ose perëndi të actekëve për të theksuar ngjashmërinë e feve, ose Kerenski, kryetari i qeverisë së përkohshme menshevike që përkëmbehet me një pallua që fryhet, e kështu me radhë.
Veç montazhit, më bien në sy te filmat e Eizenshtajnit si mjete të spikatura arti skenat masive, gjallëria e imazheve dhe portretet e personazheve. Po kujtoj këto portrete, aq të ndryshme nga njëri-tjetri, te Koracata: marinarët kryengritës, kapiteni arrogant i luftanijes, plakat që vigjilojnë te kufoma e marinarit martir, një tregtar a fabrikant i pasur diku në turmë që bën thirrje për pogrom ndaj çifutëve, figurat a më saktë siluetat e kozakëve që zbresin shkallët në rresht si ploton makabër ekzekutimi, nëna që merr plumbin në gjoks dhe foshnja në karrocën që zbret shkallët teposhtë po aq e ndërkryer sa dhe turma në panik. Portreti i fëmijës është krejt i qetë.
E kam të pamundur të mos i krahasoj filmat e Mezhrabpomit me filmat tanë të realizmit socialist dhe të mos gjej aty mësimet e mjeshtërve të mëdhenj sovjetikë. Një film si Duel i heshtur bie fjala, mund të ishte krijuar fare mirë edhe në epokën e filmit pa zë, pasi drama e brendshme mbahet fare mirë edhe vetëm me imazhet e anijes në ecje (gjithmonë në ecje, për ku?), me planet mbi detin gri ose direkët e flamurin që ulet ose ngrihet, me detarët e lidhur a të zgjidhur, me plagosje, kanosje për vdekje, me rendje nëpër korridore e kabina të ngushta etj. etj. Një kryevepër arti filmik në shërbim të një mesazhi të mbrapshtë: Kështu do ta pësojnë të gjithë ata që arratisen nga atdheu socialist. Kështu do ta pësojnë të gjithë ata që i kundërvihen revolucionit të kuq. Në filmin e Eizenshtajnit flamuri që zëvendëson flamurin carist është i ngjyer me të kuq. Një e kuqe që papritur shfaqet si njollë gjaku në sfondin e një filmi thellësisht bardhezi. Nuk di pse më kujtoi ngjyrosjen e dikurshme të fotove bardhezi ku, bie fjala nuses, i ngjyroseshin sytë me blu dhe buzët me të kuqe.
Fabrika e ëndrrave të kuqe na ngjall nostalgji të çuditshme. Ne nuk mund ti urrejmë këta filma, megjithëse fundi i tyre çon po në një vend: te pushteti i sovjetëve dhe katastrofa: vëllazërimi i luftanijeve te Koracata, marrja e Pallatit të Dimrit te Tetori ose Fundi i Shën Peterburgut, gazeta Pravda në duart e ushtarit që vdes në një llogore të kasaphanës së madhe (Lufta e parë botërore te filmi Okraina). Në të vërtetë është nostalgjia e fëminisë, pasi ne u rritëm pikërisht me filma sovjetikë të tipit Okraina, ose filma shqiptarë që jehonin valët e Meshrabpomit.
Por sjam i vetëm në salla, pasi filmat duartrokiten nxehtësisht edhe nga publiku gjerman. A thua janë të gjithë nostalgjikë të Lindjes, ish-qytetarë të RDGJ?
Fabrika e kuqe e ëndrrave nuk mund të jetonte gjatë. Më 1933 me ardhjen e nazistëve në pushtet u mbyll qendra e Berlinit. Më 1936 Stalini mbylli fabrikën e madhe të filmit në Moskë me 1000 punëtorë. Ndërsa pas paktit me Hitlerin ai e shpalli tradhtar Vili Myncenbergun, i cili vdiq në rrethana misterioze në Francën e jugut më 1940.