Rrëzohet buxheti, qeveria rrit borxhin
Zbardhen shifrat e 5-mujorit. Merren 120 milionë dollarë më shumë nga bankat për të financuar deficitin.
Ekonomia në krizë, fitimi i bizneseve bie me 27 për qind.
Kriza ekonomike e ka çorientuar në maksimum buxhetin e shtetit. Mungesa e të ardhurave dhe mosprekja e shpenzimeve kanë krijuar një deficit jashtë çdo parashikimi. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se vetëm në 5 muajt e parë të vitit borxhi u tejkalua 2.4 herë në krahasim me planin e miratuar nga Kuvendi në dhjetor. Rënia ekonomike ka bërë që të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat të mos e plotësojnë nevojën e qeverisë për para, duke e detyruar këtë të fundit të marrë 134 milionë dollarë borxh më shumë se sa kishte parashikuar. Në total, gjatë pesë muajve, qeveria kishte parashikuar të merrte 56 milionë USD borxh të ri, por për të mbuluar dështimin, ka marrë 191 milionë dollarë borxh, ose 240% më shumë se sa kishte planifikuar. Të gjithë treguesit e të ardhurave kanë rënie, ndërkohë që shpenzimet korente, të parat që kursehen në raste të tilla, vazhdojnë të rriten edhe më tej se parashikimi i fillimvitit.
Situata
Planifikimi fillestar i qeverisë dhe i Ministrisë së Financave ka dështuar totalisht. Buxhetit të shtetit i mungojnë 87 milionë dollarë nga planifikimi fillestar. Ndërkohë që shpenzimet janë tejkaluar me rreth 47 milionë dollarë në krahasim me planin. Pra qeveria nuk po e shtrëngon rripin për të balancuar financat e veta. Shpenzimet do të ishin marramendëse më të larta po të mos ulej pagesa për interesat e borxhit. Shifrat e Financave tregojnë se vetëm për shpenzime operative mirëmbajtjeje janë shpenzuar rreth 30 milionë USD më shumë se sa ishin planifikuar. Qartësisht qeveria nuk ka kursyer edhe në investime, ku janë shpenzuar rreth 30 milionë USD të tjerë më shumë se sa plani.
Kriza ekonomike ka gjunjëzuar hapur biznesin, dhe kjo shihet qartë te të ardhurat që mbledh qeveria. Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat janë 61 milionë dollarë më pak se plani, duke rritur nga muaji në muaj deficitin. Por, struktura e tyre tregon qartë dhimbjen e ekonomisë dhe të biznesit. Sipas shifrave të Financave, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, që tregon performancën e biznesit, janë 27% më pak se plani. Në krahasim me 5-mujorin e vitit të kaluar, fitimi i kompanive ka rënë me 23%. Kjo shifër i bën politike dhe demagogjike të gjitha fjalitë e shqiptuara fort nga Kryeministri apo ministri i Financave për rritje ekonomike. Për ta kompletuar situatën, me rënie të ndjeshme janë edhe të ardhurat nga akciza apo TVSH-ja. Në një situatë të tillë, janë mbledhur më pak para edhe nga tatimi mbi të ardhurat. E vetmja taksë që ka rritur performancën, është ajo nacionale.
Preken depozitat
Në një situatë të tillë, kur shpenzimet nuk frenohen dhe rënia e të ardhurave thellohet, qeveria ka rritur ndjeshëm borxhin. Kërkesa për borxh të ri u është drejtuar bankave të nivelit të dytë. Në total, qeveria, vetëm për pesë muaj ka marrë para 10 herë më shumë se sa plani nga bankat e nivelit të dytë dhe nga Banka e Shqipërisë me anë të bonove të thesarit. Në fillim të vitit qeveria kishte parashikuar të merrte 12 milionë USD hua të brendshme për të financuar deficitin, ndërkohë që ka marrë rreth 130 milionë USD. Rritja e kërkesës së qeverisë për para nga bankat e nivelit të dytë ndikon direkt në uljen e kreditimit të biznesit. Bankat e kanë më të sigurt fitimin duke kredituar qeverinë sesa biznesin. Në këtë mënyrë, depozitat e qytetarëve nuk kthehen në investime, por në një mjet për të mbushur gropat e qeverisë. Vetë Financat pranojnë se huamarrja e brendshme ishte 969% më e lartë se sa planifikimi. Një shifër rrëqethëse vetëm për 5 muaj.
NERTILA MAHO