E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pushtuesit” kanë nisur të lënë Irakun

Autori i Lajmit: Nga Anthony Shadid
Suvajrah, (Irak) – Ushtria amerikane e quante atë vend tronditës dhe tej mase frikësues, ndërsa gjithçka nisi më 21 mars 2003. Për të qenë më të saktë ishte ora 8:09 e mbrëmjes së kësaj dite pranverore. Këtu ajo përfundoi me një psherëtimë. Askush pothuajse se mban mend me saktësi se kur u tërhoqën amerikanët nga baza “Forëard Operating Base Summers”. Një mëngjes ata u larguan dhe nuk u kthyen kurrë më”, - thotë Osama Majid, një tregtar në rrugën që të çon drejt bazës, ndërsa qëndruan për herë të fundit mbi raftet e ëmbëlsirave të paketuara iraniane dhe turke të dyqanit të tij. “Pushtimet ndoshta nuk përfundojnë kurrë në të vërtetë. Madje, edhe pas largimit të 115,000 ushtarëve amerikanë, pushtimi do të mbetet në shpirtin kombëtar, në ruajtjen e ushtrisë irakiane, në çizmet kauboj, tatuazhe dhe sigurisht në atë që bart elementët më të dukshëm të identitetit, gjuhën”. “Badjat”, - thonë rojet irakianë në portat hyrëse të bazës Summers, në pritje që vizitori të nxjerrë mjetin e tij të identifikimit. Ndonjëherë pushtimet lënë pas vulgaritetin. Tani baza Summers është shndërruar në një strofull arkeologjike. E ngritur 30 milje në juglindje të kryeqytetit irakian, Bagdadit, ish-baza ushtarake amerikane e njohur përpara se amerikanët të mbërrinin por edhe më pas si aeroporti Suvajrah, shpesh të jep përshtypjen e një post fundi bote të mallkuar dhe merr pamjen si pjesa më e madhe e vendit. Toka përreth është djerrë, ndërsa e bukur shndërrohet vetëm gjatë perëndimit të diellit, pikërisht atëherë kur vetmia bëhet më e paqtë. Rrethinave të këtij vendi u është plaçkitur gjithçka vite më parë, deri tek tullat e kuqërremta, të cilat dikur lidhnin muret e ndërtesave. Vetë ky kompleks tani ndihet i mjerë dhe i braktisur, dyert e ndërtesave të saj janë rrethuar me kompensatë, dritaret e tyre janë mbyllur me blloqe betoni. Brenda këtyre ndërtesave ndodhet mbetja e kulturës komerciale amerikane, që nuk ndihet rehat, ndërsa shiu i dimrit njom shkretëtirën e vendit këto ditë. Të hedhura përdhe në sheshet e shtruara me çimento, pikërisht aty ku jetonin ushtarët gjen paketa nikotine, një paketë me kokoshka dhe një kuti biskotash të një firme të njohur amerikane. Në dhomën tjetër gjen një salcë kosi të markës “Pringles”, një kuti konserve qepe, një tas plastik me patatina me djath të firmës “Herr” dhe një kanaçe me gjellë gjysmë të përgatitur. Të hedhura aty afër janë dhe disa kanaçe me pije energjike “Java Monster”, dhe “Rip It”. Fluturimi i një pëllumbi prish qetësinë e këtij vendi. Ai futet në një derë sipër së cilës shkruhet ende: “Orët e Pushimit 22:00-11:00, Ska përjashtim”. “Kur njerëzit largohen nga cilido vend, ata do ta lënë rrëmujë mbrapa”, - thotë rreshteri vendas, Hazem Said, i cili punon për kompaninë e dytë më të vogël irakiane që ka trashëguar bazën. Herë pas here, tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Iraku duket aq e zakonshme sa ishte klimatik edhe pushtimi i tij. Numri më i lartë i angazhimit ushtarak amerikan në Irak ishte në vitin 2007, ku kishte më shumë se 160 mijë trupa. Sot atje ndodhen 115 mijë ushtarë dhe shumë prej tyre që janë larguar të japin përshtypjen se e kanë bërë këtë vjedhurazi. Nga muaji gusht, vetëm 50 mijë trupa mendohet se do të jenë ende brenda vijës së pushtimit. Nga një qytet dikur krenar si Bagdadi, ata janë tërhequr përmes një peizazhi që mbart shenjat e betejave që ata kanë luftuar dhe kanë qenë dëshmitarë, ku jehonat e pushtimit dëgjohen ende përgjatë rrugës në hungërimat e anarkisë dhe pëshpërimat e braktisjes. Gjithçka duket e thyer, e shqyer, e rrëmujshme, që nga parmakët e rrugës deri tek tabelat që mbajnë emrat e destinacioneve të largëta dhe rrënojave të grumbulluar buzë rrugës. Të paktën këto rrënoja nuk janë bërë ende pluhur e hi. Teli i përdredhur me gjemba e ka ruajtur shkëlqimin e tij, por ka humbur qëllimin. Vetëm mbetjet e trungjeve të palmave të prera nuk i lejojnë kryengritësit të fshihen. Duke u dobësuar dita ditës, rikthimet e tyre shkaktojnë pesimizëm në shanset se kjo do të ndodhë një ditë. Gjithçka aty rrotull duket e “kuqërremtë”, - ngjyra e luftës. Në fund të rrugës nga Bagdadi, në skajin më jugor të Umm Qasr-it që me portin e tij i bën karshillik Gjirit Persik, karvanët ushtarake i bien kryq e tërthor një rruge, asfalti i së cilës i shkrirë nga dielli, mbart brazdat e thella të viteve të shkaktuara nga lëvizja e automjeteve. Duke transportuar blindë ushtarakë të tipit Humvee, gjeneratorë, karburant dhe pirunë, kamionët mbajnë një distancë precize nga njëri-tjetri në një peizazh jopreciz, duke kaluar grumbuj ushtarësh irakianë të veshur me uniforma të ndryshme kamuflazhi në pikat e shkujdesura të kontrollit.

Jo gjithçka shkon me ta

Në ish-bazën ushtarake “Forward Operating Base Summers”, thasët me rërë qëndrojnë aty. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për gjeneratorin, edhe pse mungesa e karburantit ka bërë që ai të mos ndizet këtë javë. Një tabelë që lexon “Stop” në anglisht qëndron ende pezull mbi portë. Po ashtu është dhe grafiti që shkruan Forcat Speciale të Shteteve të Bashkuara. Rrathët e koshave të basketbollit janë ende aty, por pa rrjetat e tyre. “Mos u lani”, - shkruhet në të dyja tabelat e koshave. E hedhur diku nën një rreth fuçie është një “Manual i përgjithshëm” për një automjet i njohur si “MRAP”. “Vetëm për përdorim zyrtar”, - shkruan sipër saj. Aty afër ka letra të hedhura që nga shtëpia, të mbuluara sigurisht me plehra. “I dashur ushtar”, - shkruan njëra ku sipër ka të stampuar një fytyrë duke buzëqeshur, - “fjalët nuk dalin për të shprehur falënderimet e mira për shërbimin tuaj altruist. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti ju bekoftë juve”. Në zyrën e komandantit muret e hollë janë ende të zbukuruar me letra kartonësh për fëmijë “Hello Kitty” (ngjyrë e purpurt dhe rozë). Në dysheme ka një kuti nga Iova, që dikur ishte përdorur për të mbajtur hamburger dhe hot-dogë. Një zarf i papërdorur i Shërbimit Postar Amerikan premton se shkon në çdo cep të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe sigurisht që barrikadat janë ende aty, kudo, të palëvizura. “Ata na kanë lënë vetëm muret”, - thotë rreshteri Ahmed Hussein, i cili kryen shërbimin e rojës përpara portës. Ai hedh një sy rreth e rrotull dhe thotë: “Më kujton një burg. Ata betonojnë gjithçka rreth teje dhe e mbyllin me një portë. E çfarë tjetër duhet të mendosh”?
(The Washington Post)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 06/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›