E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triumfi i turqve, Fitimtarët e papritur të luftës në Lindjen e Mesme

Autori i Lajmit: Nga Owen Mattheës dhe Christopher Dickey
Archibald Wavell as nuk do ta kishte imagjinuar sa i saktë do të kishte qenë parashikimi i tij. Duke vëzhguar me frikë fuqitë fituese evropiane që rrëzuan Perandorinë Otomane pas Luftës së Parë Botërore, “lufta për të ndaluar luftën”, oficeri britanik komentoi se ata në fakt kishin krijuar “një paqe për të përfunduar paqen”. Dhe sigurisht që prej asaj kohe, dekadat kanë krijuar një zinxhir të grushteve të shtetit, qeverisjes së keqe koloniale, revolucione dhe një dhunë epidemike xhihadiste. Pushtimi amerikan i Irakut më 2003, mund të shihet si përpjekja e fundit e superfuqisë së fundit për të imponuar rregull në rajon. Në vend të kësaj, rezultati neto ishte krijimi i një vakuumi pushteti, që ta linte Irakun të dobët për të neutralizuar fqinjët dhe për të kërcënuar destabilizimin e rajonit. Turqia, froni i vjetër i Perandorisë Osmane, bëri më të mirën e saj për të qëndruar jashtë kësaj lufte, duke refuzuar edhe lejimin e forcave amerikane për të kaluar tokën turke gjatë pushtimit të vitit 2003. Dhe përsëri janë turqit, jo iranianët, siç deklarojnë shumë vëzhgues, të cilët në fakt janë fitimtarët e vërtetë të luftës. Nga pikëpamja ekonomike Turqia është partneri më i fuqishëm i Iranit dhe Irakut, aq shumë i fortë saqë shumica e bizneseve amerikane i kanë hapur rrugë. Dhe në kushtet e ndikimit rajonal, Turqia nuk ka rivalë. Kryeministri i shtetit, Rexhep Taip Erdogan, po punon për të konsoliduar këtë fuqi, ndërsa garanton pavarësinë e Turqisë në një pjesë të botës të dominuar nga Amerika. Javën e ardhshme ai do të takohet me presidentin Obama në Uashington, por vetëm disa javë më parë ai qëndroi përkrah “shokut të tij të mirë”, Mahmud Ahmadinexhad në Teheran dhe mbrojti programin bërthamor të Iranit. Ky është vetëm një shembull i sjelljes që po shqetëson shumicën e partnerëve turq të NATO-s. Një nga shqetësimet më të mëdha kanë qenë marrëdhëniet e tensionuara me Izraelin, dikur partnerin e ngushtë të Turqisë, përgjatë ndërhyrjes ushtarake në Gaza këtë vit, ku grupet e të drejtave të njeriut deklarojnë vrasjen e 1400 palestinezëve. Erdogan doli nga Forumi Botëror i Ekonomisë në shenjë proteste për vrasjet e këtyre të fundit dhe kohët e fundit shfuqizoi një marrëveshje dhjetëvjeçare që u lejonte Forcave Ajrore të Izraelit për të kryer manovra në territorin turk. Në të njëjtën kohë, kryeministri turk, ka mbështetur vazhdimisht presidentin e Sudanit, Omar al-Bashir, duke deklaruar se ai nuk është fajtor për gjenocidin e Darfurit, sepse ai është një “mysliman i mirë”. Tani ka më shumë “pika mosmarrëveshjesh sesa marrëveshjesh” midis Uashingtonit dhe Ankarasë, - thotë Filip Gordon, zyrtari i emëruar për diplomacinë me Turqinë nga Obama në Departamentin e Shtetit. Ajo që e frikëson më shumë Uashingtonin është dyshimi se qëndrimi i Ankarasë mund të ndikohet më shumë nga ideologjia islamiste, sesa thjesht nga ndjekja e interesave kombëtare të Turqisë. Erdogan e ka mohuar gjithmonë përzierjen e fesë dhe politikës, por partia e tij në pushtet, Partia e Drejtësisë dhe e Zhvillimit (e njohur në turqisht me inicialet AKP), është hetuar vazhdimisht nga gjykatat më të larta të Turqisë mbi thyerjen e premtimeve të Kushtetutës për një shtet tërësisht laik. Por qëndrimet turke kundrejt Evropës kanë shfaqur një ftohje gjatë pesë viteve të fundit, dhe një ngritje të armiqësisë ndaj instituteve perëndimore si për shembull ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar. "Askush në qeveri nuk ka bërë përpjekje për të zhdukur antiamerikanizmin në Turqi”, - shprehet Qemal Koprulu, një nga aktivistët e institutit të pavarur të politikave “ARI”. "Qeveria nuk mund ta pranojë, por pjesa më e madhe e vendimmarrjes në politikën e brendshme dhe të jashtme, thjesht nuk i merr parasysh vlerat perëndimore”. Nga ana tjetër, turqit mund të justifikohen pse mendojnë se vendimmarrësit perëndimorë nuk marrin parasysh interesat turke. Gjatë luftës së ftohtë, Uashingtoni bëri gjithçka të mundur për të stabilizuar rajonin dhe për të mos lejuar Kremlinin të fitonte terren, zakonisht duke zmbrapsur despotët properëndimorë si Shahun e Iranit dhe gjeneralët turq, të cilët morën pushtetin nga qeveritë civile tri herë. Rezultati ishte shkatërrimtar për Amerikën: ajo përfundoi me aleatë tek të cilët nuk mund të mbështetej dhe që urreheshin nga vetë popujt e tyre. Në Turqi, antiamerikanizmi arriti maksimumin në vitin 2003, kur administrata e Bushit ushtroi presion mbi Ankaranë për të lejuar forcat e SHBA që të pushtonin Irakun nëpërmjet territorit turk - një plan që u rrëzua vetëm në momentin e fundit nga revolta në Parlament. Ky ishte niveli më i ulët i marrëdhënieve të Turqisë me SHBA-në. Por nga ana tjetër, kjo ishte pikënisja e rritjes ekonomike të Turqisë dhe ndikimit të saj në rajon, si dhe fillimi i një marrëdhënieje të re me Uashingtonin. Në fakt, pozicioni i ri i Turqisë në rajon ka një mundësi për ta transformuar vendin në diçka më të vlefshme për Uashingtonin se sa thjesht një vegël ndihmëse. Turqit shprehen se ata kërkojnë të bëhen ajo që, sipas ministrit të Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu, është “një partner për të zgjidhur problemet e rajonit”. Cilatdo qofshin ambiciet e tyre të krijuara ndër vite, vetëm gjatë këtij dhjetëvjeçari, sidomos që prej vitit 2002, kur Erdogani dhe AKP erdhën në pushtet, Turqia ka arritur fuqinë ekonomike dhe politike si dhe mundësinë ushtarake për ta përligjur këtë pozicion. Ekonomia e Turqisë është dyfishuar në dhjetëvjeçarin e kaluar, duke e kthyer vendin nga një moçal në një central elektrik rajonal. Në të njëjtën kohë, fokusi i saj financiar është përqendruar në vendet më afër: Tani Turqia ka marrëdhënie tregtare me Rusinë, Irakun dhe Iranin më shumë se me Evropën. Politikat mbi energjinë kanë favorizuar turqit, të cilët tashmë konkurrojnë me jo më pak se tri rrugë furnizimi në Evropë: nga Rusia, Kaspiku dhe Irani. Vitet e reformës dhe stabilitetit po ofrojnë siguri gjithashtu. Ankaraja është në vigjilje të një marrëveshjeje me minoritetin e saj kurd për të përfunduar kryengritjen që çoi në 35 000 të vdekur shekullin e kaluar. Turqia po bën paqe, me shtetet fqinje që dikur mbështetën rebelët, Sirinë, Iranin dhe Armeninë. Parimi është i thjeshtë, thotë një mbështetës i vjetër i Erdoganit, i cili nuk është i autorizuar të përmendë identitetin e tij: “Ne nuk mund të zhvillohemi nëse jetojmë me fqinjë të varfër. Nuk mund të jemi të sigurt nëse jetojmë në një mjedis me konflikte dhune”. Dhe avantazhet po vijnë shpejt. Falë diplomacisë dhe zgjerimit të lidhjeve në rajon, Turqia po realizon atë që Davutoglu e shpjegon: “zero probleme me politikat e fqinjëve”. Pozicioni i ri ka rritur ndikimin e Ankarasë edhe më tej; turqit janë negociatorët për konfliktet e rajonit, të thirrur për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis fraksioneve palestineze Hamas dhe Fatah, ndërmjet Irakut dhe Sirisë, dhe përpara shpërthimit të Erdoganit në Davos, ndërmjet Izraelit dhe Sirisë. Duke folur në një konferencë shtypi të fundit në Romë, Erdogani shprehu pak shpresë që Turqia do të bënte më shumë për Sirinë dhe Izraelin. “Kryeministri Benjamin Netanjahu nuk ka besim tek ne”, - tha ai. “Kjo është zgjedhja e tij”. Por vendet e tjera në rajon e mirëpresin ndihmën e Ankarasë: diplomatët turq janë të përgatitur në mënyrë të shkëlqyer në zgjidhje konfliktesh, dhe nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Iranin. Qeverisja e Teheranit është e paralizuar nga lufta e brendshme dhe nuk është një nga vendet më të dashura në botën arabe. Veçanërisht sauditët mendojnë akoma pozitivisht për turqit që prej luftës së otomanëve me persët, për të mos folur për ndjenjat e tyre në lidhje me turqit sunitë përballë iranianëve shiitë. "Arabia Saudite e përshëndet rikthimin e turqve të rinj”, - shprehet Jamal Kashogi, redaktori i së përditshmes së rëndësishme Jidda Al-Vatan. Dhe akoma më i rëndësishëm është fakti që ndërtesa e qeverisë së Erdoganit ka një ngjyrosje islamike (me drita saudite, Sunni), ”megjithëse zyrtarët turq nuk mund ta thonë këtë publikisht, pasi do të ishte politikisht jokorrekte”), - shprehet Kashogi. Turqit akoma besojnë se janë aq të zgjuar sa të mos pozicionohen në një rol antagonist, dhe zyrtarët në Ankara këmbëngulin që fjalët e ngrohta të Erdoganit ndaj Ahmadinexhadit thjesht përpiqen të krijojnë një atmosferë të ngrohtë. Në thelb, shprehen ata, Turqia ndan me Perëndimin të njëjtat synime mbi ambiciet bërthamore të Iranit; dhe thjesht po i bën gjërat në mënyrën e saj. "Ne kemi pasur marrëdhënie me iranianët për shekuj me radhë”, - shprehet mbështetësi i vjetër i Erdoganit. “Ne u tregojmë respektin dhe miqësinë që ata duan. A do ta zgjidhte armiqësia jonë problemin bërthamor të tyre?”. Kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike i ofroi Iranit mundësinë për të eksportuar shumicën e uraniumit të varfër në këmbim të shufrave bërthamore franceze në tetor, Erdogan i ofroi Ahmadinexhaidt një marrëveshje (me sa duket me bekimin e Uashingtonit): Irani më mirë mund ta depozitonte në Turqi uranin, sesa ta dërgonte në një shtet jomysliman. Në mënyrë absolute Teherani i tha “jo” kësaj marrëveshjeje, por përpjekja tregoi që Turqia është e përgatitur për të luajtur rolin e saj që ta mbajë rajonin në paqe dhe të sigurt. Ankaraja këmbëngul që miqësitë e reja të saj në rajon nuk rrezikojnë lidhjet e gjata të saj me Perëndimin. “NATO është aleatja më e fortë e Turqisë, dhe integrimi në Evropë është objektivi kryesor i politikës së jashtme të Turqisë”, - këmbëngul Davutoglu. "Por kjo nuk do të thotë që për shkak të këtyre lidhjeve të forta, ne mund të injorojmë Lindjen e Mesme, Azinë, Azinë Qendrore, Afrikën e Veriut apo Afrikën”. Bota ka ndryshuar rrënjësisht që prej rënies së Otomanëve, dhe nuk ka të ngjarë që Turqia të rifitojë fuqinë perandorake që mbajti për 350 vjet, nga Algjeria në Budapest e Mekë. Por ndërsa bota po mundohet të ecë përpara, së fundmi, pas paqes 90-vjeçare, asnjë shtet tjetër nuk është pozicionuar më mirë në rrugën për zhvillim.
(Newsweek)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 06/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›