UNDP, mbështetje amerikane Berishës për reformat
Kryeministri Sali Berisha befason UNDP-në në SHBA me projektin “Shqipëria në moshën dixhitale” dhe merr mbështetjen e saj për projektet e reformave të nisura në vend. Në nisje të vizitës së tij në SHBA, ku ndodhet për të marrë pjesë në Sesionin e 64-të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, z. Berisha u prit dje nga Administratorja e UNDP-së, Helen Clark. Kjo e fundit vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke u ndalur posaçërisht në projektin “Shqipëria në moshën dixhitale”, për të cilën i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet më të larta. Në bashkëbisedim Kryeministri paraqiti prioritetin e qeverisë për shtrirjen e internetit në çdo shkollë. Një tjetër projekt për të cilin u diskutua gjatë takimit, ishte dhe ai i Eko-turizmit. Këtu Kryeministri vuri në dukje ecurinë pozitive në këtë drejtim diktuar nga potencialet e mëdha të vendit në turizëm duke ofruar perspektivë të re për një shfrytëzim më cilësor të tyre.
Administratorja e UNDP-së, Helen Clark, u shpreh mjaft e kënaqur që Kryeministri Berisha dhe qeveria të cilën ai drejton, edhe në këtë mandat të dytë do të zhvillojnë më tej reforma të rëndësishme. Clark përfitoi nga rasti t’i urojë Kryeministrit Berisha rizgjedhjen në këtë detyrë. Berisha kërkoi mbështetjen e UNDP-së për forcimin e sistemit të arsimit privat, në kuadër të një partneriteti publik e privat sa më eficent. Për këtë qëllim Kryeministri garantoi se do të bazohet në modelet më të mira botërore. Në këtë kuadër, Administratorja e UNDP-së, Helen Clark, shprehu mbështetjen e saj dhe të UNDP-së për këto projekte, duke i parë si mundësi për të shfrytëzuar më së miri potencialet njerëzore, intelektuale dhe ekonomike të Shqipërisë.