E Diel, 1 Nëntor 2026

Putin-Bush, takimi i fundit

Presidenti amerikan Bush
dhe homologu i tij rus
Putin do të tentojnë të
sheshojnë kontradiktat në
lidhje me sistemin mbrojtës të
raketave dhe zgjerimin e NATOs
në një takim lamtumire që organizohet
në Detin e Zi. Për
Bushin ky do të jetë sigurisht
takimi i fundit zyrtar me shefin
e Kremlinit para se ky të lerë
pushtetin në muajin maj për t‘i
hapur rrugë mandatit të Presidentit
të ri të vendit, Medvedev.
Vetë Bush vjen pas festimeve
me rastin e ftesave të reja që iu
dhanë për aderim në NATO
Kroacisë dhe Shqipërisë. Qëllimi
i Bushit, sipas disa burimeve
pranë tij, është që të shndërrojë
raportin mes të dy vendeve në
një raport miqësor. Edhe pse
takimi në Sochi, vendin ku Putin
ka një vilë pushimi pritet të
jetë i toneve më të ngrohta se
sa diskutimet e Putinit në Bukuresht,
sipas analistëve do të duhet
shumë punë për arritjen e
një kompromisi të përbashkët
në lidhje me të gjitha çështjet
kontradiktore. Për sa i përket
Putinit, ai ka refuzuar aspër
ndërtimin e sistemit mbrojtës
në kufijtë e Rusisë, duke paralajmëruar
madje në takimin e
fundit të NATO-s në Bukuresht
që organizata të kishte kujdes.
Pritet që të dy burrat e shtetit të
nënshkruajnë një marrëveshje
në Sochi në lidhje me kuadrin
strategjik të marrëdhënieve
mes Shteteve të Bashkuara dhe
Rusisë, një dokument që do të
shërbejë si një lloj trashëgimie
për të dy pasuesit presidencialë
të Putinit dhe të Bushit pas
zgjedhjeve presidenciale të
vjeshtës. Shtatë vjet pas deklaratës
së Bushit, se ai kur e kishte
parë Putinin në sy kishte
marrë mesazhin e një shpirti të
pastër, Presidenti amerikan deklaroi
se takimi do të ishte
shansi i fundit për një dialog
mes zemrash. Për sa i përket
Bushit këto janë tentativat e tij
të fundit për të ndryshuar diçka
për mirë në politikën e tij të jashtme,
e cila u dominua gjatë 8
viteve të mandatit presidencial
nga çështja e luftës në Irak.
Bush gjithashtu po përpiqet që
të qëndrojë edhe për pak kohë
në vëmendje të botës, pasi figura
e tij, si brenda ashtu edhe
jashtë vendit, është eklipsuar
nga kandidatët presidencialë.
Nga ana e tij, Presidenti rus Putin
ka nevojë për një tranzicion
më të lehtë të presidencës nga
duart e tij në atë të të mbrojturit
prej tij, Medvedevit. Bush do të
zhvillojë edhe një takim kokë
më kokë me këtë të fundit dhe
do të hetojë situatën në lidhje
me rolin e ardhshëm dhe pushtetin
që do të ketë në dorë
Kryeministri i ardhshëm i vendit,
Putin. Ai riafirmoi në
takimin e NATO-s në Bukuresht
se është kundër ambicies
së organizatës për t‘u zgjeruar
deri në kufijtë e Rusisë. E ndërsa
toni i ashpër i Putinit i çuditi
të gjithë në Bukuresht, pritet që
mes tij dhe Bushit tonet sigurisht
të jenë shumë më miqësore.
Takimi dypalësh ka nisur
dje dhe sot të dy liderët do të
bëjnë publike rezultatet e
takimit të tyre në një konferencë
të përbashkët për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›