E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Ja fondet për të përndjekurit

Ish të përndjekurit politikë
duket se do të presin shumë
gjatë për të përfituar ndonjë
lekë nga kompensimi që u ka
premtuar qeveria. Fondet e
alokuara për këtë zë, për tre vitet
e ardhshme, ndonëse me rritje,
mbeten minimale dhe thuajse të
papërfillshme në raport me
faturën financiare të kompensimit
për këtë shtresë. Në programin
buxhetor afatmesëm për
periudhën 2009 deri në 2011
qeveria ka vendosur si tavan të
sipërm të fondeve që do të akordohen
për dëmshpërblimin e ish
të përndjekurve shifrën prej 2 miliardë
lekësh në vit ose 20 milionë
dollarë. Për vitin 2008, shifra ishte
10 milionë dollarë. Fatura financiare
për dëmshpërblimin e të
përndjekurve politikë ende nuk
është bërë publike. Për këtë ka
pasur dhe debate të ashpra midis
mazhorancës dhe opozitës.
Megjithatë, mendohet se kjo
faturë është shumë e madhe. Në
total, për t‘u shpërblyer sipas të
dhënave zyrtare janë 88 mijë vite
burg.
Ligji
Pas një debati të ashpër disamujor,
Kuvendi kaloi pak kohë
më parë nen për nen projektin që
përcakton dëmshpërblimin e të
gjithë të përndjekurve politikë, që
kanë përfituar pafajësinë. Me
gjithë rezervat e opozitës, se projekti
ka mangësi dhe se nuk ka
faturë financiare, shumica ka përcaktuar
në këtë ligj që dëmshpërblimi
të përfitohet nga rrethi
familjar dhe të kryhet brenda një
periudhe tetëvjeçare. Kompensimi
jepet për të gjithë të dënuarit
deri në vitin 1991. Të përndjekurit
e kanë kundërshtuar këtë ligj,
duke thënë se me të mazhoranca
njeh vetëm të drejtën e dëmshpërblimit,
por nuk përmban
faturën dhe nëse shteti e përballon
financiarisht dëmshpërblimin.
Të drejtën e dëmshpërblimit
financiar e kanë të dënuarit
padrejtësisht nga sistemi komunist
që kanë fituar pafajësinë.
Rrethi i përfituesve të dëmshpërblimit
që janë të internuar nuk do
të kufizohet deri në vitin 1954, por
do të shtrihet deri në periudhën
pas komunizmit. Mundësi për
dëmshpërblim kanë edhe të internuarit
deri në vitin 1991.
Dëmshpërblimi
Në projektbuxhetin e vitit
2006, qeveria e djathtë akordoi
vetëm 40 milionë lekë më shumë
në ndryshim nga qeveria e mëparshme
socialiste. Qeveria e
mëparshme socialiste, në buxhetin
e vitit 2005, kishte akorduar
260 milionë lekë, fond i cili ngjalli
reagimin e ashpër të të përndjekurve
politikë. Në vitin 2007
qeveria përcaktoi si shumë për
dëmshpërblimin e të përndjekurve
masën 500 milionë lekë,
e cila u rrit në 1 miliard për vitin
2008. Ligji i miratuar më shumë se
2 muaj më parë përcakton se
dëmshpërblimi duhet të përfundojë
brenda 8 viteve, por me fondet
e vëna në dispozicion kjo
duket e pamundur.
Të përndjekurit
Të burgosurit dhe të përndjekurit
politikë përbëjnë 30% të
popullsisë. Kjo pjesë e popullit ka
provuar dhe përballuar diktaturën
më të egër dhe më kriminale
komuniste në të gjithë Evropën
Juglindore. Gjatë regjimit komunist
në Shqipëri janë ekzekutuar,
sipas të dhënave zyrtare, 5.577
burra dhe 450 gra për arsye politike.
Janë dënuar politikisht
26.768 burra dhe 7.367 gra, kanë
vdekur në burgjet politike rreth
1.065 veta. Kanë humbur aftësitë
mendore 408 persona. Kanë vdekur
në internime 7.022 veta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›