E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putin: Manovrat e NATO-së, nuk ishin të dobishme

Moskë -Kryeministri rus, Vladimir Putin vlerësoi në një intervistë të publikuar sot se manovrat ushtarake të NATO-s në Gjeorgji nuk ishin në dobi të përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për median japoneze në prag të vizitës së tij javën e ardhshme në Tokio, Putin deklaroi se stërvitja ushtarake e NATO-s ishte një sinjal i mbështetjes për autoritetet gjeorgjiane, të cilët javën e kaluar u përplasën me protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e presidentit properëndimor Mikheil Saakashvili.

I pyetur lidhur me përpjekjet e reja të Uashingtonit për një fillim të ri në marrëdhëniet me Moskën, Putin theksoi: "Për sa i përket manovrave të NATO-s në Gjeorgji, ky është një sinjal që shkon në drejtim të kundërt"."Me të vërtetë shpresojmë që liderët e SHBA-së do të shkelin pedalin e duhur për t'u vënë fre tendencave negative në marrëdhëniet tona dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të garantuar që këto përpjekje të fitojnë me të vërtetë një përmbajtje të re", deklaroi ish-kreu i Kremlinit.

Rusia pretendon se manovrat ushtarake të NATO-s janë një "shfaqje e rrezikshme e muskujve" nga ana e aleancës ushtarake perëndimore dhe kanë shtuar tensionet në Kaukaz, nëntë muaj pasi Rusia zmbrapsi një tentativë ushtarake të Saakashvilit për të rivënë nën kontroll rajonin separatist të Osetisë së Jugut. Marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në njohën një rënie në nivelin më të ulët që prej Luftës së Ftohtë pas luftës në Gjeorgji dhe njohjes së menjëhershme nga Moska të dy rajoneve separatiste gjeorgjiane, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, si shtete të pavarura.

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe homologu i tij rus, Dmitry Medvedev, kanë deklaruar se synojnë të rivendosin marrëdhëniet midis dy superfuqive, por çështja e Gjeorgjisë, një nga rrugët transit të gazit për në Evropë, mbetet një nga pengesat kryesore. NATO ka deklaruar se Rusia ka qenë plotësisht e informuar lidhur me manovrat ushtarake që filluan më 6 maj dhe gjithashtu ka qenë e ftuar për të marrë pjesë në to.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›