Putin: Rezultatet e zgjedhjeve ndikuan në opinionin publik

Kryeministri rus, Vladimir Putin duke folur drejtperserdrejti në televizionin shtetëror rus, e duke u përqëndruar edhe në garën presidenciale të radhës, tha se rezultati i zgjedhjeve, reflekton këndvështrimin publik, duke iu referuar procesit elektoral te 4 dhjetorit.
“Nëse protestat në rrugë janë rezultat i regjimit të Putin, atëherë janë në rregull”, ka thënë kryeministri, që vitin e ardhshëm pritet të kthehet në krye të Kremlinit. Ndërsa duke iu referuar zgjedhjeve të radhës, ai tha se do të kërkonte vendosjen e web kamerave në çdo qendër elektorale, duke propozuar që ato të jenë aktive gjatë gjithë kohës, dhe në këtë mënyrë qytetarët do të kenë mundësi të kontrollojnë e të ndjekin të gjithë procesin e votimit.
Rezultati i zgjedhjeve të 4 dhjetorit në Rusi, që sugjeronte fitoren e partisë Rusia e Bashkuar, provokoi një sërë protestash qytetare në Moskë dhe më gjerë. Protestat arritën kulmin të shtunën, kur u organizua manifestimi më i madh që nga shpërbërja e bashkimit sovietik, me rreth 50 mijë qytetarë që mbushën rrugët.
Po javën e kaluar, Putin akuzoi SHBA-në si orkestruese të protestave post-zgjedhore në Rusi, duke e vënë theksin tek një deklaratë e sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. Gjithashtu, ai nuk pranoi se partia e tij ishte më e humbura nga zgjedhjet e ditës së dielë dhe i cilësoi si të zakonshme luhatjet në votime. Ndërsa të mërkurën, gazetarët e një gazete ruse nënshkruan një letër të hapur proteste ndaj kryeministrit Putin, disa ditë pasi dy drejtuesit më të lartë të “Kommersant” u hoqën nga detyra pas kritikave që bënë për parregullsitë në zgjedhje.
Ndërkohë, kryeministri do të ketë një rival në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, miliarderin mikail prokorov , i cili bëri të ditur gjatë së hënës se do të konkurrojë në zgjedhjet e muajit mars.