E Diel, 1 Nëntor 2026

Putin dhe Ahmadinejad shtypës të medieve

Organizata “Reporterët pa Kufij”, grupi që merret me lirinë e medieve, ka publikuar listën e armiqve të shtypit, në prag të Ditës Botërore për lirinë e shtypit.

Lista e atyre që quhen “shtypës të medieve” përfshin presidentin kinez, Hu Jintao, atë iranian, Mahmud Ahmadinejad, kryeministrin e Rusisë, Vladimir Putin, presidentin e Çeçenisë, që njihet si mbështetës i Kremlinit, Ramazan Kadirovin dhe udhëheqësin e talebanëve në Afganistan, Mullah Omarin.

“Reporterët pa Kufij” tha se “këta shtypës së lirisë të medieve kanë fuqinë që të censurojnë, burgosin, rrëmbejnë, torturojnë dhe në rastet më të këqija të vrasin gazetarë”.

Kjo organizatë ka kritikuar ashpër pengesat në punën e gazetarëve në shumë vende të botës.

Organizata botoi një listë me 40 politikanë dhe grupime, të cilët sipas saj cenojnë më shumë lirinë e shtypit. Në listë si shtypës të medieve cilësohen edhe udhëheqësi i Libisë Muamar Gaddafi, si dhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko.

Ndër të tjerë përmenden edhe qeveritë në Korenë e Veriut dhe Kubë. Veç kësaj në listë bëjnë pjesë edhe rrjete kriminale si kartelet e drogës në Meksikë apo mafia në Itali.

Edhe organizata ilegale baske ETA dhe forcat e sigurisë në Izrael gjejnë vend në listës e organizatës "Reporterë pa Kufij".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›