Pyetësori i BE-së, Shqipëria dorëzon përgjigjet në prill
Qeveria shqiptare do ta dorëzojë pyetësorin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian brenda muajit prill. Ky ishte afati që caktoi dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Sipas Berishës, ritmet e punës janë intensive dhe ato duhet të vazhdojnë të jenë të tilla deri në kthimin e përgjigjeve për 2283 pyetjet e Komisionit Europian.
“Shpresojmë që puna të ecë shumë mirë dhe ne ta finalizojmë këtë proces, më të rëndësishmin në historinë e marrëdhënieve tona me Bashkimin Europian dhe t’ia dorëzojmë Komisionit Europian në një afat 15 deri në 20 javë pas dorëzimit të tij autoriteteve shqiptare nga komisioni”, theksoi Berisha. Sipas tij, në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit do të vazhdojnë të miratohen të gjithë ata kapituj që janë gati. Në këtë kuadër, Berisha sqaroi se këtë javë priten të kalojnë edhe 10 kapituj të cilët janë gati.
Sipas Berishës, ashtu siç ka ndodhur edhe javën e kaluar, kur në këtë komitet u miratuan shtatë kapitujt e parë, analiza përfundimtare për secilën nga pyetjet nuk do të mungojë as në shqyrtimin e kapitujve pasardhës. Kryeministri theksoi gjithashtu se puna për kthimin e përgjigjeve mund të cilësohet si tepër voluminoze. Por sipas tij, qeveria ka marrë të gjitha masat që ky proces të përmbyllet brenda afateve, duke rritur edhe numrin e specialistëve, të cilët po e monitorojnë nga afër këtë proces me rëndësi të veçantë.
“Dua t’ju informoj se jo 410 sa ishin në fillim, por janë mbi 1000 specialistë të të gjitha fushave të angazhuar në këtë proces, sikundër janë edhe 27 ekspertë të huaj të vendeve mike që asistojnë grupet tona të punës, në përgjigjet e duhura”, informoi Kryeministri për këtë proces. Pyetësori i Komisionit Europian iu dorëzua Kryeministrit Berisha nga ana e ambasadorit të KE-së në vendin tonë, Helmut Lohan, në datë 16 dhjetor të vitit të kaluar. Pas plotësimit të pyetësorit, dorëzimit të tij dhe marrjes në shqyrtim nga ana e komisionit, Shqipëria pritet të marrë edhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
#