BE rinovon paktin tregtar me Ballkanin
Komisioni Europian ka miratuar zgjatjen edhe pesë vjet të një pakti preferencial tregtie mes 27 vendeve të BE-së dhe 7 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja e nënshkruar fillimisht në vitin 2000 lejon hyrjen e thuajse të gjitha eksporteve nga Ballkani Perëndimor në BE pa taksa doganore apo kufizime në sasi. Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia përfitojnë nga ky pakt si pjesëmarrëse në procesin e Asocim-Stabilizimit të BE-së. “Bashkë me marrëveshjet bilaterale ekzistuese, ky trajtim preferencial në tregti synon të mbështesë integrimin ekonomik me BE-në dhe të çojë përpara stabilitetin ekonomik dhe politik në gjithë rajonin”, thuhet në deklaratën përkatëse të Komisionit. Marrëveshja e re pritet të hyjë në fuqi janarin e ardhshëm, por duhet të miratohet më parë formalisht edhe nga Parlamenti Europian. Komisioni theksoi rëndësinë e marrëveshjes, duke pasur parasysh edhe se BE-ja është partneri kryesor tregtar i rajonit. Gjatë 2008-s eksportet nga BE-ja në Ballkanin Perëndimor shënuan një volum prej 32,5 bilionë eurosh, ndërsa importet 14 bilionë euro.
#