Ligjet, opozita e painformuar në kohë
Miratimi i ndryshimeve të ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror, në mënyrë sekrete dhe pa dijeninë e opozitës, tregon vështirësitë dhe problemet që ka sot kjo e fundit për t’u vënë në dijeni me veprimtarinë parlamentare. Sipas procesverbalit të Komisionit të Ligjeve, në rastin konkret, atë të ligjit për SHISH-in, mbledhja është zhvilluar që në datën 2 shkurt, por selia rozë është vënë në dijeni vetëm në ditët e fundit. Në këtë mënyrë, mungesa e deputetëve socialistë vë në pah një mazhorancë të pakontrolluar dhe një opozitë të informuar me shumë vonesë. Deputetët socialistë e kanë pranuar se hasin vështirësi në marrjen e informacionit. Projektligjet që diskutohen, ligjvënësit socialistë i marrin në rrugë informale dhe brenda selisë rozë mungon një strukturë e posaçme që monitoron punën e komisioneve të Kuvendit.
#