E Diel, 1 Nëntor 2026

Pyetësori i KE, Berisha: Dorëzimi, brenda muajit prill

TIRANë- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se Pyetësori i Komisionit Europian për Shqipërinë do të dorëzohet në Bruksel brenda gjysmës së parë të muajit prill.
"Dorëzimi i Pyetësorit përbën një ngjarje madhore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Vendimi i 16 nëntorit të vitit 2009 ishte historik dhe ishte vendimi më i rëndësishëm që BE ka marrë në 20 vitet e fundit për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane", tha Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Kryeministri theksoi se "për plotësimin e pyetësorit u angazhuan nga 400 - 1200 zyrtarë të të gjitha niveleve, mbi 28 ekspertë të huaj dhe një numër i konsiderueshëm institucionesh dhe agjencish ndërkombëtare që u konsultuan për probleme dhe çështje specifike".

Kreu i qeverisë tha se "pyetësori paraqet dhe vizionet për zhvillimet e ardhshme të vendit në të gjitha fushat". "Procedura është standarde. Pyetësori do të dorëzohet dhe më pas KE do të ketë gjithë kohën e nevojshme për vlerësimin e përgjigjeve të pyetësorit dhe të situatës në tërësi", tha Berisha.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›